Memelli prezantohet te Skënderbeu, ka një premtim për korçarët

3 Shkurt 2021
15:35
Alfred Lleshi
back button

Skënderbeu ka zyrtarizuar trajnerin e ri. Në fakt, është vërtet i ri; në moshë dhe eksperiencë, edhe pse nuk e ka “sefte” në Superiore. Bëhet fjalë për pogradecarin Migen Memelli, i cili është prezantuar sot nga drejtori Ilirjan Përmeti. Ish-sulmuesi i disa skuadrave, brenda dhe jashtë vendit, pason në këtë pozicion Julian Ahmatajn, i cili u shkarkua pas humbjes së fundit me Kukësin dhe vendit të fundit në renditje. Misioni i mbijetesës duket objektiv kryesor për kuqebardhët. Në fjalën e tij, Memelli do të nënvizonte mes të tjerash:

“Falenderoj klubin për besimin. Shpresoj që gjërat të ecin mirë. Ajo që premtoj për komunitetin e futbollit këtu është puna e madhe dhe përkushtimi i pareshtur. Pjesën tjetër, objektivat do t’i shohim ndeshje pas ndeshjeje. Për të ardhur këtu më bindi përvoja e madhe që ka klubi, ambientet, terrenet. Më bën optimist grupi i lojtarëve. Individualisht, Skënderbeu ka lojtarë me shumë cilësi.

Do të punoj me skuadrën duke e njohur dita-ditës. Nuk dua të flas sot për objektiva, sepse do ta tregojë koha. E nis ndaj Tiranës? Në fakt, bardheblutë janë mjaft të njohur për mua. Shpresoj që tani që mbroj Skënderbeun, të bëj një ndeshje sa më të mire dhe t’i mund. Te Tirana kam shumë miq. Brenda 90 minutave do të bëjmë gjithçka për maksimumin.

Bashkë me stafin, Erion Llapanji, Gentjan Liçi dhe lojtarët shpresojmë të dalim sa më shpejt nga kjo situatë. Rivalët në garën për mbijetesë? Asnjëri rival nuk kemi, kemi veten tonë. Do të bëjmë maksimumin për Skënderbeun. Ekipet e tjera në tabelë duhet të jenë një numër, thjesht s’duhet t’iu referohemi. Sfidën e kemi me veten tonë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit