“Mentori” i Allegrit: Trajner tek Interi? Kam dëgjuar prej një kohe…

5 Gusht 2020
15:50
Alfred Lleshi
back button

Massimiliano Allegri, zëvendësues i Antonio Conte. Një histori e parë tashmë, saktësisht verën e gjashtë viteve më parë, kur trajneri nga Salento u largua me zemërim nga Juventusi, sepse kishte kundërshti me klubin bardhezi. Kjo mund të ndodhë përsëri, brenda disa javësh, por këtë herë tek Interi.

Trajneri nga Livorno është kandidati i parë (dhe ndoshta i vetmi) që shihet si trajneri i ri zikaltër, nëse marrëdhënia midis menaxhmentit të Interit dhe Conte dëshmohet e pariparueshme. Allegri është një njeri i besuar i Beppe Marotta, i cili në vitin 2014 e thirri me nxitim për të pasur gati zëvendësuesin e Conte, pas një divorci të stuhishëm, të inskenuar në ditët e para të asaj vere.

E gjitha kjo, që Allegri di, iu detyrohet mësimeve të Giovanni Galeone, mentorit të tij në kohën e Pescara. I intervistuar nga “La Stampa”, ish-tekniku 79-vjeçar pranoi se Allegri mund të ishte kthyer tashmë në pankinë, nëse do të kishte pranuar të paktën një nga shumë ofertat e marra: “Shikoni, unë shpesh flas me të. Allegri ka besim tek unë. Kjo është pikërisht arsyeja pse nuk po ju jap listën e ekipeve, që ai refuzoi. Para së gjithash për korrektësi, por edhe për të më kursyer migrenën (dhimbje koke)”.

Ulja e tij në stolin e Interit nuk duhet të përjashtohet apriori, veçanërisht në dritën e shpërthimit të bujshëm të Conte, që befasoi edhe Galeone: “Max tek Interi? Nuk mund të them shumë, edhe pse kam dëgjuar për këtë prej njëfarë kohe. Le të themi që, nëse Allegri fiton me Interin, ai do të bëhej i pari që do të plotësonte triptikun, edhe me Juventusin e Milanin. Ne, gjithashtu, kurrë nuk kemi dëgjuar një shpërthim si ai i Conte kundër klubit të tij”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit