Merkato e janarit dhe problemi i Teutës, e paguan Shkëmbi

11 Prill 2019
15:57
Eraldo Harlicaj
back button

Teuta është një ndër ekipet që i ka habitur të gjithë me përformancat e dobëta që ka dhuruar pas janarit. Trajneri Bledi Shkëmbi është në fije të perit dhe nuk është më fshehtësi fakti që drejtuesit kanë kërkuar një zëvendësues. Humbja me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Laçit ishte kapak, ndërsa takimi i humbur ndaj Flamurtarit shoqëruar dhe me lënien e vendit të tretë e bën akoma më të vështirë situatën. 

Situatat brenda grupit janë thyer dhe skuadra nuk e ka më harmoninë e mëparshme. Ndryshimet e janarit nuk kanë sjellë frytet e pritura, pavarësisht se bregdetarët ishin një nga ekipet që investuan më shumë, pasi ëndërronin titullin kampion. Renato Arapi erdhi me pritshmëri të madhe në një luftë të ashpër ndaj Partizanit u arrit, por deri tani nuk ka ofruar shumë për trajnerin Shkëmbi. 

Busic u mendua se do të zgjidhte hallet e sulmit, por deri më tani ka qenë një hall në vete. Shtatë ndeshje, asnjë gol për të në kampionat. Vajushi ishte qershi mbi tortë, por shkodrani u afrua me probleme dhe ende nuk ka shpalosur shumë nga repertori i tij. 3 ndeshje në fushë vetëm 1 si titullar mjafton për të kuptuar. Frashëri ishte një tjetër emër i afruar që u prit me interes, por dhe ky i fundit me rezultatet e ekip që janë të dobëta nuk bie shumë në pah. Merkatoja nuk rezultoi efikase, ndërsa dështimin e saj duket se do ta paguajë trajneri Bledi Shkëmbi.   

Lajme të tjera

Lajmet e fundit