Merkato, Tirana dhe Euro 2020, Jahmir Hyka tregon gjithçka!

15 Dhjetor 2018
15:21
back button

Jahmir Hyka është një prej futbollistëve të rritur në akademitë e futbollit në kryeqytet, pikërisht me Dinamon. I mjaftoi një sezon me “blutë” e kryeqytetit për të spikatur dhe hedhur hapa të rëndësishëm në karrierën e tij, që sot numëron mbi nëntë klube si: Dinamo, Rosenborg, Olympiacos, Mainz, Panionios, Luzern, Tirana e së fundit Quakes në SHBA.

Aventura në Amerikë tashmë është mbyllur, kontrata ka përfunduar dhe futbollisti 30 vjeçar ka gjetur një habitat natyral për tu stërvitur. Prej ditësh ai është bashkuar me Tiranën në “Skënder Halili”, aty ku është duke mbajtur trupin në formë, në pritje të gjetjes së një tjetër klubi. Telesport zhvilloi një intervistë me ish-futbollistin e bardhebluve, që tregon se Amerika nuk do të jetë një destinacion i mundshëm, edhe pse i lë të hapura ofertat.

Kampionati ka mbaruar që në tetor, nuk arritëm “play-off”, kështu që  më shumë se një muaj jam këtu. Tani, për të mbajtur trupin në formë, kam nisur stërvitjen me Tiranën. Kontrata më ka mbaruar, kështu që nuk do të kthehem më atje. Po pres një mundësi tjetër. Është pak herët për të folur, por të shohim se çfarë do ndodhë. Kam folur me shumë njerëz, do t`ia lëmë kohës. Jam i hapur për në Europë, edhe në Amerikë nuk do të ishte keq, por më mirë do të ishte në Europë, sa më afër Shqipërisë”-tregon Hyka.

Ambientimi me “ekipin” e ri nuk duket aspak problem, madje Hyka tregon që është përshtatur shumë mirë, me një grup lojtarësh që punon dhe trajnerin që kërkon të ndryshojë diçka.

Me Tiranën po shkoj shumë mirë. Presori po bën një punë shumë të mirë, çunat janë mirë, por nuk është një moment i mirë për Tiranën. Shpresoj që në vazhdimësi do ia dalin. Tiranën e kam parë në ndeshjet e fundit, loja më është dukur shumë e mirë. Mbase nuk ka pasur rezultat, por loja ka qenë shumë e mirë”-tregon mesfushori.

Mirëpo edhe pse pranon vështirësitë e Tiranës, Hyka përjashton mundësitë që ai të bashkohet me klubin bardheblu, të cilit, për hir të së vërtetës, në këto momente i duhet shumë shkathtësia dhe teknika e shtatshkurtrit të kombëtares.

Besoj se me pak më shumë fat mund të kishin më shumë pikë. Besoj se kanë një ngërç psikologjik, shpresoj që çunat do t`a kalojnë sa më shpejtë dhe do arrijnë aty ku duhet. Tani, s`mund ta them unë, por plani im nuk është për tu rikthyer këtu. Gjithsesi unë i uroj më të mirat Tiranës”-pohon Jahmir Hyka.

Në fund një koment edhe  për shortin e Euro 2020, që sipas mesfushorit të kombëtares, kalimi i grupit për në fazën finale nuk është i pamundur.

Besoj se veç Francës që është më lartë, të tjerat, Islanda dhe Turqia, nuk janë më si kanë qenë më parë. Mundësitë janë por duhet ta tregojmë në fushën e lojës. Na duhet të bëjmë më mirë se sa bëmë në Nation League. Duhet të luftojmë për kualifikim në këto eliminatore”-përfundon Hyka.

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit