Merkatoja e Real Madridit, tifozët janë kundër Pogba dhe Neymar

18 Maj 2019
10:40
Alfred Lleshi
back button

Real Madridi po e përfundon sezonin pa asnjë trofe. Zinedine Zidane, i rikthyer në stolin e të bardhëve, ka gati një listë, në të cilën figurojnë lojtarë në ikje dhe të tjerë që pritet të vijnë. Janë përfolur disa yje, se mund t’iu bashkohen gjigantëve spanjollë, mes të cilëve Neymar, Hazard, Pogba etj. “AS”, gazetë pranë klubit të bardhë, ka zhvilluar një sondazh për të gjetur se cilët emra konsiderohen më prioritet nga tifozët. 

Përflitet se Hazard, pasi të luajë në finalen e “Europa League”, më 29 të këtij muaji, do të transferohet në “Bernabeu”. Edhe Eriksen e ka tashmë ka një marrëveshje paraprake me Real Madridin, por nuk është negociuar ende me Tottenham. Thuhet se ekziston marrëveshje verbale me Pogba, por për t’ia marrë atë Manchester United duket tejet e vështirë. Jovic është fakt i kryer, ndërsa Ndombelé po studiohet…

Florentino Perez, i cili zakonisht është mjaft i vëmendshëm ndaj votimeve (sondazheve), e ka një “fotografim” të qartë të tifozëve mbi këto emra. Hazard konsiderohet jetik, ndërsa Pogba, çuditërisht, renditet i fundit në mesin e preferencave të tifozëve madrilenë. Kampioni i botës me Francën mbetet edhe pas Ndombelé. Në sondazh, referuar votive, pas Hazard qëndron Jovic. Real Madridi ka pasur probleme serioz me mungesën e golit në sezonin që po mbyllet, ndaj tifozët e shohin zgjidhjen te serbi i Bosnjës. 

Eriksen, së treti, shihet si një alternativë për Modric, tashmë 33-vjeçar. Nëse habitesh shumë nga ky sondazh, ku interesi për Pogba është minimal, konstaton edhe iluzionet që ngjall emri i Neymar në “Bernabeu”. Karakteri i tij (kokëfortë) dhe goditja që i dha Real Madridit në vitin 2013, kur zgjodhi Barçën, e kanë rënduar disi “faturën” e yllit Brazilian te “populli i bardhë”. Më poshtë keni rezultatin e anketës së “AS”, në të cilën morën pjesë rreth 200.000 lexues (tifozë). Ata iu përgjigjën pyetjes: Cilin nënshkrim e konsideroni prioritetin më të madh?

Hazard (53.700 vota) – Ai është 28 vjeç. I vetmi nga “top 5” futbollistët e momentit, për të cilin real Madridi ka qasje, për shkak se i përfundon kontrata në vitin 2020. Chelsea dëshiron 116 milionë euro për të. Të bardhët presin ta zvogëlojnë këtë shifër, pasi Hazard të luajë finalen e “Europa League”, më 29 maj. 

Jovic (34.700 vota) – Ai është 21 vjeç, ka shënuar 27 gola në 47 ndeshje me Eintracht Frankfurt. Real Madridi do të paguajë 60 milionë euro për të (12 milionë shkojnë te Benfica). Sulmuesi do të nënshkruajë për 5 vite dhe do të marrë 10 milionë euro bruto në sezon te “Los Blancos”.

Eriksen (25.300 vota) – Ai është 27 vjeç. Perez do ta sigurojë nënshkrimin me të në fund të verës, siç ndodhi me Modric apo Bale. Danezit i përfundon kontrata me Tottenham në vitin 2020, por do të kushtojë rreth 60-70 milionë euro.

Neymar (16.900 vota) – Ai është 27 vjeç. Real Madridi e ka të qartë; vetë lojtari  duhet ta hedhë hapin e parë për t’u larguar nga PSG. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër, “luftë” me kampionët e Ligue 1 nuk do të ketë në merkato. Braziliani mbetet ëndrra e Florentino Perez.

Ndombele (16.400 vota) – Ai është 22 vjeç. Lyon do ta lejonte të largohej për një shifër afër 50 milionë euro. Lojtari është një kërkesë e Zidane për të pasur më shumë muskuj në mesfushë.

Pogba (13.800 vota) – Ai është 26 vjeç, me një situatë të komplikuar kontraktuale. Marrëveshja me Manchester United i përfundon në vitin 2021, por mund të rinovohet edhe në mënyrë të njëanshme. Klubi anglez nuk negocion për më pak se 160 milionë euro, kur është fjala për Pogba.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit