Mes Covid-19 dhe dëmtimeve, emergjencë totale para Inter-Real Madrid

23 Nëntor 2020
10:01
Alfred Lleshi
back button

Interi, pas fitores me përmbysje kundër Torinos në Serie A, sheh se duhet të merret me një pengesë shumë më të madhe. Rruga në Ligën e Kampionëve është vërtet e vështirë. Humbja e fundit ndaj Real Madridit i komplikoi planet e Conte, i cili tani është dy pikë larg fundit në grup.

Real Madridi do të mbërrijë në “San Siro” të mërkurën në mbrëmje për ndeshjen e kthimit. Interi ka nevojë për një fitore me çdo kusht dhe mund të shfrytëzojë, ndryshe nga ndeshja e parë, një situatë emergjence të plotë te Merengues.

Në ndeshjen e fundit të La Liga-s kundër Villarreal (1-1), Zidane nuk mundi të llogariste lojtarët e mëposhtëm: Jovic, Benzema, Ramos, Militao, Casemiro, Valverde dhe Odriozola.

Pasiguria mbretëron në klub, ka dyshime të forta se sa prej tyre do të jenë në gjendje të fluturojnë për në “San Siro”. Sidoqoftë, Benzema, Militao dhe Casemiro janë kandidatët që mund të rikuperohen disi, të tjerët rrezikojnë të mbeten jashtë.

Benzema në veçanti po lufton me një dëmtim muskular. Të shtunën u zëvendësua nga Mariano Diaz dhe po punon në palestër për t’u riaftësuar. Nga Spanja i japin 50% shanse disponibiliteti. Prandaj ka ende disa mundësi për ta parë atë në “San Siro”.

Për Casemiro dhe Militao situata është e ndryshme. Dy brazilianët kishin Covid-19, u duk se e kishin kapërcyer atë, por tamponi i fundit iu dha të dyve një rezultat të dyshimtë. Sot do t’i nënshtrohen një testi të ri dhe atëherë Zidane do të dijë nëse mund t’i ketë apo jo nën urdhëra.

Në mbrojtje pa Ramos dhe me Militao në dyshim, Reali do të varet nga Nacho, në mbështetje të Varane. Në mesfushë pa Valverde dhe ndoshta Casemiro, Zidane mund të riparaqiste dyshen Kroos-Modric, të propozuar kundër Villarreal, me një 4-2-3-1 të paparë këtë sezon.

Në anën e Interit, megjithatë, Brozovic, Kolarov dhe Padelli janë ende pozitivë me Covid-19. Sensi, Pinamonti dhe Vecino janë jashtë fushe për shkak të problemeve fizike. Formacioni duhet të shkruhet praktikisht, me kthimin nga minuta e parë e çiftit Lautaro-Lukaku në sulm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit