Messi bëhet “tokësor”; kjo nuk i ndodhte nga viti 2014

6 Qershor 2020
13:36
Alfred Lleshi
back button

Vit pas viti, sezon pas sezoni, Lionel Messi na ka mësuar të regjistrojë statistika në kufijtë e realitetit njerëzor. Në vitin 2012, ai ndoshta arriti pikën e vet më të lartë, duke shënuar 91 gola nga janari deri në dhjetor. Në La Liga, prej shumë kohësh ka realizuar mbi 30 gola në vit. Nganjëherë kjo shifër ka qenë edhe më e madhe se 40. Numra përtej çdo logjike, me të cilët “La Pulga” është mësuar. Megjithatë, këtë vit, mes dëmtimeve dhe një performancë përgjithësisht më të ulët edhe të ekipit, argjentinasi po i sheh numrat e tij sado të frikshëm në rënie.

Pas 27 javëve në La Liga, Messi ka shënuar “vetëm” 19 gola në 22 ndeshje, në 21 prej të cilave ka qenë titullar. Problemet fizike që e kufizuan në fillim të sezonit kanë çuar në një rënie logjike të statistikave në krahasim me mesataren e tij, edhe nëse numri i asisteve po rritet. Ai tashmë e ka tejkaluar shifrën e dyfishtë në këtë drejtim. Sa për golat në La Liga, sipas të dhënave të “Opta”, hera e fundit që shënoi më pak ishte në sezonin 2013-2014.

Në atë vit, pas 27 javësh kampionat, ai ishte mbërthyer te 15 gola në 20 ndeshje të luajtura, përpara se të përshpejtonte hapin më tej dhe të arrinte 28 gola në total. Sidoqoftë, ky nxitim i fundit nuk mjaftoi për ta rrëmbyer titullin përballë Atlético Madrid. Në tri vitet e kaluara, në këtë pikë të sezonit, ai gjithmonë ka qenë mbi 20 gola, ndërsa më 2016 kishte mesatare të njëjtë si tani: 19 gola në 22 ndeshje. Më të mirën e dha më 2012, 2013 dhe 2015: gjithnjë mbi 30 gola, duke arritur deri në 40 gola në sezonin 2012-2013. Numra monstruozë.

Këtë sezon, megjithatë, Messi është pak më njerëzor e tokësor. Sidomos larg “Camp Nou”, ai shënoi vetëm 3 gola në La Liga: kundër Eibar, Levante dhe Atlético Madrid. Në 11 sezonet e kaluara, Messi ka arritur gjithmonë shifra të dyfishta në këtë drejtim. Nuk ka gjasa që këtë sezon kjo të ndodhë, megjithëse kur flitet për të, kurrë mos thuaj kurrë…

Tani për tani, megjithatë, argjentinasi ende mund të mburret me vendin e parë në renditjen “Pichichi” të La Liga, me një diferencë të mirë golash nga ndjekësi kryesor, Karim Benzema, i cili deri më tani ka shënuar 14 gola. Pra, është golashënuesi më i mirë i La Liga-s, por me rënie të këtyre numrave. Sigurisht, mungesa e rivalitetit me një makinë tjetër golash, si Cristiano Ronaldo, e lehtëson garën e tij drejt çmimit të golashënuesit më të mirë në Spanjë. Nëse do ta fitonte “Këpucën e Artë” të La Liga-s, kjo do të ishte e shtata herë; një rekord absolut. Tani për tani ai e ndan këtë rekord me legjendarin Telmo Zarra.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit