“Messi braktisi stërvitjen e PSG”; tërbohet babai i yllit argjentinas: Nuk do të tolerojmë më kësi gjërash…

18 Mars 2023
10:40
Alfred Lleshi
back button

Lionel Messit do t’i skadojë kontrata në “Parc des Princes” në fund të sezonit, me përfaqësuesit e tij që po intensifikojnë negociatat mbi të ardhmen. Një raport i kësaj jave sugjeroi se PSG nuk është e gatshme t’i pranojë kërkesat e Messit për pagë më të madhe, që kushtëzojnë marrëveshjen e re, ndërsa një tjetër pretendoi se ai po kërkon 600 milionë euro për t’iu bashkuar skuadrës saudite Al Hilal.

Gjithashtu, u pretendua të premten se Messi u largua nga seanca stërvitore për shkak të një mosmarrëveshjeje me trajnerin Christophe Galtier. Megjithatë, Jorge Messi doli në rrjetet sociale të premten për ta demantuar këtë lajm.

“Kur do të ndaloni së gënjyeri?” – ka postuar babai-menaxher i Messit në llogarinë e tij personale në Instagram, krahas pamjeve nga të tria shkrimet. “Ku i keni provat? Oh, të gjitha janë lajme të rreme. OK, sado me zë të lartë të thuhet, mos e besoni. Ne nuk do të tolerojmë më lajme të rreme për të fituar klikime dhe ndjekës”.

Messi ka 18 gola dhe 17 asiste në 31 ndeshje për PSG-në, këtë sezon, por u kritikua për paraqitjet e tij në eliminimin nga Champions League, në 1/8 finale përballë Bayern Munich. I pyetur për të ardhmen e fituesit të Kupës së Botës në një konferencë për shtyp të premten, Galtier tha:

“E di që Leo Messi dhe bordi kanë qenë në bisedime. Për sa i përket faktit nëse Leo Messi do të jetë këtu sezonin e ardhshëm apo jo, kam thënë se bëhet fjalë për dëshirën. E di që njerëzit po e diskutojnë, por Leo Messi është i lumtur në dhomën tonë të zhveshjes.

E di që ka marrë disa kritika për ndeshjen e Champions League kundër Bayern Munich, por ai nuk ishte i vetmi. Sa i përket të ardhmes së tij, është shumë herët të dihet se çfarë do të ndodhë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit