Messi dhe CR7 në një ekip…, ja projekti luksoz që mund t’i bashkojë në MLS

25 Qershor 2019
13:12
Alfred Lleshi
back button

Projekti futbollistik i David Beckham në Miami është gati për të filluar. Janë edhe disa probleme, që duhen kapërcyer me stadiumin dhe pastaj direkt në garë, në vitin 2020. Në Florida shpresojnë të formojnë një ekip të mirë. Ikona e futbollit anglez dhe më gjerë, Beckham, tashmë në rolin e presidentit të Inter Miami, ka nisur të mendojë për yjet, që mund t’i bëjë bashkë në krijesën e vet të re, por tejet ambicioze. 

Sipas “The Sun”, dëshira e ish-kapitenit të “Tre Luanëve” është që të bashkojë në Miami emra të tillë si Cristiano Ronaldo, Messi, Rooney dhe Piqué. Ky tabloid anglez e mbështetet këtë ide në aftësinë e Beckham për të tërhequr lojtarët kryesorë. Madje, harton edhe formacionin e mundshëm: Joe Hart në portë; Hector Moreno, Piqué dhe Valencia në mbrojtje; De Rossi dhe Busquets në qendër të mesfushës; të ndihmuar nga Cristiano Ronaldo, Rooney dhe Messi. Falcao dhe Suarez llogariten si “9” në skuadrën e presidentit Beckham. 

Për “The Sun”, vetëm Lionel Messi shihet si një objektiv praktikisht utopik. Megjithatë, edhe për kapitenin e Barçës mund të ekzistojë joshja e tipit: Pse të mos ndalem në Miami, para se të kthehem në Argjentinë? Tabloidi anglez citon informacione të vetat, që sigurojnë se disa lojtarë aktualë të Barcelonës janë në listën e nënshkrimeve të mundshme të Inter Miami. Miqësia e mirë me “Becks” mund ta lehtësojë shkuarjen e tyre në Miami.

Përveç këtyre emrave, formacioni ideal do të kishte edhe një plan B, ku mund të shfaqet Arjen Robben apo Zlatan Ibrahimovic. Për stolin janë dy kandidatë të nivelit të parë: Jose Mourinho dhe Rafa Benitez. Së këndejmi pritet të fillojë projekti i ri luksoz në MLS.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit