“Messi i Artë”, CR7 nuk do të jetë në Paris. Ngushëllohet me çmimin në Milano

2 Dhjetor 2019
9:12
Alfred Lleshi

Do të jetë një mbrëmje çmimesh, me dy ceremoni paralele, midis Italisë dhe mbarë botës. Protagonistët do të jenë gjithmonë ata: në Paris, Leo Messi do të tërheqë “Topin e Artë” të gjashtë të tij, ndërsa në Milano, Cristiano Ronaldo do të vlerësohet si lojtari më i mirë i sezonit 2018-2019 në Serie A. Këtë mbrëmje, në fakt, në kryeqytetin francez do të caktohet çmimi më i lakmuar individual i botës. Sipas informacioneve që kanë rrjedhur, argjentinasi duhet të jetë ai, që do ta marrë këtë trofe për vitin 2019, duke vendosur rekord dhe lënë pas vetes portugezin e Juventusit. 

Dje u pa edhe një renditje-test në internet, e publikuar nga “Corriere dello Sport”, e cila do të shihte CR7 vetëm në vendin e katërt, pas rivalit të tij të zakonshëm, por edhe pas duetit të Liverpool-it, Virgil van Dijk e Mohamed Salah, kampionët europianë në fuqi. Vendi i pestë dhe i gjashtë për dy lojtarë të tjerë nga Liverpool, Mané dhe Alisson, ndërsa Matthijs De Ligt është në vendin e nëntë, menjëherë pas ish-partnerit dhe bashkatdhetarit të tij tek Ajax, Frenkie De Jong.

Ronaldo, vetëm i katërti dhe jashtë podiumit në këtë renditje-test, do të ketë një angazhim tjetër, do të marrë çmimin e më të merit në Serie A, për sezonin e kaluar. Pra, do të jetë në Milano dhe jo në Paris.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit