Messi: Jeta dhe futbolli nuk do të jenë më njësoj

31 Maj 2020
14:33
Denis Hakanaj
back button

“Ndihem shumë keq për faktin se shumë njerëz kanë humbur jetën”.

Fjalë të Lionel Messi. Sulmuesi i Barcelona-s është kthyer të flasë për momentin e vështirë me të cilin po përballet bota për shkak të coronavirus-it. Një problem që ka goditur të gjitha fushat e jetës, duke përfshirë edhe futbollin.

La Liga do të rikthehet në qershor, por asgjë nuk do të jetë si më parë. Pleshti është i bindur se gjërat nuk do të jenë njësoj. “Pothuajse të gjithëve ne na mbetet dyshimi sesi do të jetë bota pas gjithë kësaj që ka ndodhur”, ka thënë Messi për El Pais Semanal.

“Përtej asaj që ka ndodhur, nga izolimi i detyruar për të qenë të sigurt, shumë njerëz kanë qenë të detyruar të përballen me momente shumë më të vështira”.

“Kjo situatë ka krijuar shumë probleme. Shumë persona kanë humbur pjesëtarë të familjes ose miq. Nuk kanë patur as mundësinë që t’u thonë lamtumirë”.

“Mendoj se kjo krizë e shkaktuar nga Covid-19 ka krijuar shumë probleme, por nuk do të jenë kurrë aq të rënda sa humbjet që shumë persona kanë pësuar. Nuk ka asgjë më të rëndë se të humbësh një njeri të dashur. Kjo më bën të ndihem shumë keq, sepse më duket gjëja më e padrejtë”.

“Futbolli, por edhe vetë jeta, nuk do të jenë më si më parë pas coronavirus-it. Pas gjithë kësaj që ka ndodhur do të kthehemi në normalitet, por do të jetë një normalitet i ri”, ka përfunduar Messi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit