Messi lë pas Maradonën, ja futbollistët më të mëdhenj në “top-20” kombëtaret botërore

1 Qershor 2020
11:39
Alfred Lleshi

Tifozët e futbollit mund të ankohen për pushimet ndërkombëtare, që prishin vrullin e garave vendase, por kur të vijë një kompeticion veror, nga viti i ardhshëm, ne mund të marrim maksimumin e emocioneve nga ky sport. Dhe Kupa e Botës është kulmi. 32 kombe, me lojtarët më të mirë, marrin pjesë në një turne të tillë gjatë një muaji. Vetëm 8 kombëtare të ndryshme e kanë fituar Botërorin, me Brazilin që mban rekordin, pasi e shijoi suksesin pesë herë. Por, cila skuadër e Brazilit nga ato pesë triumfe ishte më e mira? Cili ishte lojtari i saj më i mirë gjatë këtyre pesë triumfeve? “GIVEMESPORT” ka bërë përzgjedhjen e vet, duke evidentuar lojtarin më të madh ndonjëherë në secilën nga 20 kombëtaret më të mira në futbollin botëror. Për ta përcaktuar këtë, është marrë parasysh si karrierën e tyre në klube, edhe në arenën ndërkombëtare.

BELGJIKA | EDEN HAZARD
Pavarësisht se nuk fitoi asnjë trofe ndërkombëtar, Belgjika aktuale është ndoshta më e mira në historinë e këtij kombi. Lojtari i saj më i mirë? Eden Hazard. Ylli i Real Madridit ka luajtur 104 herë me të tijtë, duke shënuar 30 gola. Me siguri do të vazhdojë të bëhet lojtari belg me më shumë ndeshje me kombëtaren, një record i mbajtur aktualisht nga Jan Vertonghen.

FRANCA | ZINEDINE ZIDANE
Në Botërorin e tij të parë, Zidane ishte heroi për vendin nikoqir, duke shënuar dy gola në finalen kundër Brazilit, më 1998. Dy vite më vonë e ndihmoi Francën të fitonte “Euro 2000”. Gjashtë vite pas kësaj, ai luajti ndeshjen e tij të fundit si profesionist, në finalen e Kupës së Botës 2006. Zidane shënoi me penallti kundër Italisë, përpara se të dilte me karton të kuq, pasi goditi me kokë Marco Materazzi, në kohën shtesë. Në karrierën e tij me klubet, ai u bë legjendë te Juventusi dhe Real Madrid, duke fituar tre tituj të ligës, një “Top të Artë” dhe shënuar supergol në finalen e Champions-it 2002, për të bardhët.

BRAZILI | PELE
Tri Kupa Bote dhe më shumë se 1000 gola në karrierë. Ai mund të mos ketë pasur karrierën më të lavdishme në rang klubesh, duke përfaqësuar Santos dhe, në vitet e tij të fundit, New York Cosmos, por 77 golat në 92 ndeshje me Brazilin janë një “hipotekë” e jashtëzakonshme.

ANGLIA | SIR BOBBY CHARLTON
Një legjendë e Manchester United, pasi ka luajtur më shumë se 750 herë për klubin nga “Old Trafford”. Ai gjithashtu ndihmoi Anglinë të fitonte Kupën e Botës 1966, duke fituar “Topin e Artë” në të njëjtin vit. Për kombëtaren e tij, Charlton luajti 106 ndeshje dhe shënoi 49 gola, një rekord që tani është thyer nga Wayne Rooney.

URUGUAJI | ENZO FRANCESCOLI
Idhulli i Zidane, Francescoli luajti për Montevideo Wanderers, River Plate, RC Paris, Marseille, Cagliari dhe Torino, gjatë karrierës së tij në klube. Mesfushori luajti 73 herë për Uruguajin, duke e ndihmuar atë të fitonte tri “Copa America”.

PORTUGALI | CRISTIANO RONALDO
700 gola në karrierë, 5 Champions dhe 5 “Topa të Artë”. 95 gola në 162 ndeshje me kombëtaren luzitane, duke e ndihmuar atë të fitonte “Euro 2016” dhe “UEFA Nations League”, vitin e kaluar. Një nga më të mëdhenjtë ndonjëherë.

KROACIA | LUKA MODRIC
Katër triumfe të Ligës së Kampionëve me Real Madridin. Ai, gjithashtu, theu duopolin e Ronaldos dhe Lionel Messit, duke fituar “Topin e Artë” vitin e kaluar. Modric ka luajtur 126 ndeshje me Kroacinë, duke arritur deri në finalen e Kupës së Botës 2018.

SPANJA | ANDRES INIESTA
Iniesta mund të rivalizohet nga Sergio Ramos, Iker Casillas dhe Xavi. Një legjendë e Barçës, që përfaqësoi klubin katalanas gjatë 16 sezoneve, duke fituar 9 tituj të La Liga-s dhe 4 Champions. Ishte pjesë e skuadrës “pushtuese” spanjolle, që fitoi “Euro 2008”, Botërorin 2010 dhe më pas “Euro 2012”. Mesfushori ka përfunduar, gjithashtu, i dyti, i treti dhe i katërti në renditjen e “Topit të Artë”.

ARGJENTINA | LIONEL MESSI
Messi mposht Diego Maradonën e madh për faktin se është lojtari me më shumë ndeshje në kombëtaren Abliceleste. Ai mund të mos ketë fituar një trofe të madh ndërkombëtar me vendin e tij, por karriera në nivel klubi e Messit ka qenë e jashtëzakonshme. 608 gola në 695 ndeshje për Barçën, 10 tituj të La Liga-s, 4 Champions dhe 6 “Topa të Artë”.

KOLUMBIA | CARLOS VALDERRAMA
Valderrama është kujtuar shpesh për flokët e tij të veçantë, por ishte gjithashtu një lojtar i jashtëzakonshëm. Luajti për një numër të madh klubesh në Kolumbi, Francë, Spanjë dhe SHBA. E përfaqësoi kombin e tij 111 herë.

MEKSIKA | HUGO SANCHEZ
208 gola në 283 ndeshje për Real Madridin dhe golashënuesi i katërt më produktiv në historinë e La Liga-s. Ai luajti në tri Kupa Bote dhe ishte pjesë e skuadrës meksikane, që arriti në çerekfinalen e Botërorit 1986.

HOLLANDA | JOHAN KRUUFF
Ka pasur disa lojtarë të mrekullueshëm holandezë gjatë viteve, por ish-heroi i Ajax dhe Barcelonës, Cryuff, pëlqehet më shumë se Marco van Basten dhe Ronald Koeman. 190 gola në 240 ndeshje për Ajax dhe arritje të tjera mbresëlënëse me Barcelonën, ​​ku vazhdoi të tregojë se ishte një nga më të mëdhenjtë ndonjëherë. Ai fitoi tre “Topa të Artë” gjatë karrierës.

ZVICRA | STEPHANE CHAPUISAT
Sulmuesi luajti 103 herë për Zvicrën dhe e përfaqësoi atë në Kupën e Botës 1994, “Euro 1996” dhe “Euro 2004”. I votuar futbollisti zviceran i vitit në katër raste, Chapuisat përfaqësoi klubet e Borussia Dortmund, Grasshoppers dhe Young Boys gjatë karrierës së tij.

DANIMARKA | MICHAEL LAUDRUP
Laudrup fitoi tituj të ligës me Ajax, Barcelona, ​​Real Madrid dhe Juventus. Jo një CV e keqe. Pasi luajti 104 ndeshje me kombëtaren, ai u përzgjodh zyrtarisht futbollisti më i mirë danez i të gjitha kohërave, votuar si i tillë nga Federata Daneze e Futbollit.

ITALIA | PAOLO MALDINI
Ai mund të mos ketë fituar një trofe ndërkombëtar, por Maldini ka luajtur 126 herë për Italinë, i treti në historinë e axurrëve. Gjatë 902 ndeshjeve të tij me Milanin, Paolo fitoi 7 tituj të Serie A dhe 5 Kupa Europiane/Champions. Një nga mbrojtësit më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

GJERMANI | FRANZ BECKENBAUER
Ai ka luajtur kryesisht për Bayern Munich gjatë karrierës në rang klubi, duke fituar 5 tituj të Nundesligës dhe 3 Kupa Europiane/Champions. “Kaizer” përfaqësoi Gjermaninë Perëndimore në 103 ndeshje, në tre Botërorë, duke triumfuar në vitin 1990. Po ashtu, fitoi dy “Topa të Artë”.

KILI | FIGUEROA ELIAS
Figueroa ishte kapiten i Kilit në Kupat e Botës 1966, 1974 dhe 1982 dhe njihet si një nga mbrojtësit më të mirë në historinë e futbollit. Pele, dikur pati thënë: “Nëse Figueroa do të kishte fituar një Kupë Bote, do të ishte mbrojtësi më i mirë në histori”.

SUEDIA | ZLATAN IBRAHIMOVIC
Një karrierë e jashtëzakonshme, që ende vazhdon. 31 trofe të fituar prej tij në Suedi, Hollandë, Itali, Spanjë, Francë dhe Angli. Një nga personazhet më të mëdhenj që futbolli ka parë ndonjëherë. Ibra është zgjedhur në “UEFA Team of Year” në katër raste dhe ka shënuar 62 gola në 116 ndeshje të luajtura për vendin e tij.

PERU | TEOFILO CUBILLAS
Cubillas luajti në kombëtaren e Perusë, që fitoi “Copa America” në vitin 1975. Po ashtu, e ndihmoi kombëtaren e tij të arrinte deri në çerekfinale të Botërorit 1970 dhe 1978. Ai është, gjithashtu, një nga tre lojtarët, që ka shënuar pesë ose më shumë gola në dy Botërorë të ndryshëm, bashkë me Miroslav Klose dhe Thomas Muller, dy të tjerët. Në karrierën e tij me klubet, mesfushori-sulmues shënoi 117 gola në 175 ndeshje për Allianza Lima, përpara se të luante për Basel, Porto dhe Fort Lauderdale Strikers.

SENEGAL | SADIO MANE
Mane e ka vendosur veten si një nga futbollistët më të mirë botëror, duke luajtur me Liverpool. Pas transferimit 34 milionë eurosh nga Southampton, në vitin 2016, Mane ka shënuar 68 gola për “Reds”, me të cilët fitoi Champions-in, sezonin e kaluar. Ai, gjithashtu, bashkëndau “Këpucën e Artë” në Premier League, në sezonin 2018-2019. Sadio Mane është vetëm 10 gola larg golashënuesit më të mirë të të gjithë kohërave në Senegal, diçka për të cilën me siguri do të luftojë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit