‘Metamorfoza’ e Götze në një “vrapues maratone”: Ndihem më mirë se në moshën 17-vjeçare

28 Janar 2023
8:10
Alfred Lleshi
back button

André Schürrle befasoi botën pak ditë më parë me një transformim spektakolar. Ish-futbollisti, i cili “ka varur këpucët në gozhdë” vetëm në moshën 29-vjeçare, ka përqafuar metodën “Wim Hof” ​​dhe është nisur për të përfunduar një nga sfidat më të vështira të rezistencës që ekzistojnë.

Schürrle nuk është i vetmi kampion bote me Gjermaninë në “Brazil 2014”, që ka përjetuar një ‘metamorfozë’ të madhe. Mario Götze ka vuajtur nga probleme të rënda fizike gjatë gjithë karrierës së tij. Ish-lojtari i Borussia Dortmund ishte në “leje të pacaktuar” në vitin 2017 për shkak të problemeve me metabolizmin, që e çuan atë të fitonte disa kilogramë shtesë.

“Super Mario”, autori i golit kundër Argjentinës që i dha Gjermanisë titullin në vitin 2014, e pati të vështirë të rikthehej në rrugën e duhur. Ai u largua nga Borussia Dortmund në vitin 2020 nga ‘dera e pasme’. Te PSV, nën komandën e Roger Schmidt, ai u shfajësua edhe një herë: shënoi 18 gola dhe dha 18 asiste në 77 ndeshje.

Schmidt u përpoq ta merrte atë te Benfica verën e kaluar…, por Götze zgjodhi të kthehej në Bundesligë me Eintracht Frankfurt, fituesin e “Europa League”. Në Gjermani ai po shpagon veten duke vepruar si mesfushor në 1-3-4-2-1 të Oliver Glasner. “Unë thjesht dua t’i provoj diçka vetes. Kjo është e rëndësishme për mua”, – pranoi në prezantimin e tij.

Paraqitja e tij (ai ka 2 gola dhe 5 asiste në 25 ndeshje) është vendimtare që Eintracht të mbajë vendin e katërt në Bundesligë, pesë pikë pas Bayernit dhe të kualifikohet për në 1/8 e Ligës së Kampionëve, ku e pret Napoli. Prandaj ‘Hansi’ Flick e përfshiu atë në listën e Gjermanisë për Kupën e Botës 2022.

Götze është mes më të mirëve për rastet e krijuara (24) në Bundesligë. “Ai na jep shumë qetësi në fushë. Zgjidhjen e gjen në situata presioni, këtu na ndihmon më shumë”, – pohon shoku i tij i skuadrës Sow. “Ky është Mario që ne duam dhe njohim”, – tha Lothar Matthaus. “Le të jetë Mario Mario”, – lutet Glasner.

Megjithatë, ka diçka që tërheq edhe më shumë vëmendjen; performanca e tij pa top. Ish-lojtari i Bayernit dhe Borussia Dortmundit është lojtari që ka përshkuar më shumë kilometra (190.3) në Bundesligën Gjermane. Ai pasohet nga Anthony Losilla (Bochum) me 190 kilometra dhe Maximilian Arnold (Wolfsburg), me 188 kilometra.

Vetë Götze pretendon ndryshimin e tij fizik. “Sëmundja u shkaktua nga unë dhe munda ta korrigjoja vetë. Ndihem mirë fizikisht dhe mendërisht, madje edhe më mirë se kur isha 17 vjeç”, – pranon ai për ‘Sport Bild’. Një ‘metamorfozë’ në të cilën kanë ndërhyrë faktorë të ndryshëm: “Unë punoj me një rrjet ekspertësh në joga, ‘fitnes’, të ushqyerit dhe osteopatinë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit