Metodat ‘gjeniale’ të Arteta-s përfshijnë edhe lojën… topadjegësi

26 Mars 2023
15:44
Denis Hakanaj
back button

Tifozëve të Arsenalit u është thënë që t’i “besojnë procesit” që kur Mikel Arteta mori drejtimin. Fillimi nuk ishte i lehtë, pasi Topçinjtë kanë pasur shumë vështirësi nën drejtimin e ish-numrit 2 të Pep Guardiola-s.

Por tre vjet më pas Arteta po e udhëheq skuadrën e tij në prag të titullit të parë të Premier League që nga “Invincibles” 2003-04. Tifozët kanë filluar të besojnë se mund të ngjiten teksa skuadra e mbushur me të rinj vazhdon të mbajë larg kampionët me përvojë të Manchester City.

Por çfarë përfshin konkretisht “procesi” i Artetës? Portieri Aaron Ramsdale i ka zbuluar truket më të fundit të trajnerit, duke përfshirë edhe lojën topadjegësi. Për stilin e Arteta-s, Ramsdale i tha Standard Sport: “Ai është intensiv, me të vërtetë intensiv. Ai thjesht e do futbollin, e do Arsenal-in, i pëlqen të zhvillojë lojtarë të rinj, gjë që është e mahnitshme.

“Ai vjen me këto gjëra për të na bërë të shkojmë. Ne luajmë lojëra në hotel. Ndonjëherë mund të jetë topadjegësi, ndonjëherë mund të jetë ‘gjeni ndryshimet’, që të na punojë truri…

“Është thjesht mënyra e tij për të na bërë të ndizemi përpara ndeshjes, para nxehjes, duke u siguruar që ne jetojmë dhe marrim frymë futbolli kur pushojmë”.

Arsenali kohët e fundit ka tërhequr vëmendjen pasi ka pozuar para një ore pas fitores 3-0 ndaj Fulhamit. Mbi këtë, Ramsdale shtoi: “Ajo me orën ishte një ide tjetër gjeniale. Jo të gjitha gjërat funksionojnë, por ajo që ai po përpiqet të nxjerrë prej këtyre gjesteve më pëlqen, unë padyshim që mund të shoh përfitimet nga kjo”.

Portieri i Anglisë tha: “Në fund të sezonit të kaluar, ne kemi qenë në panik në disa ndeshje, mendoj se kemi mësuar nga kjo. Unë mendoj se ne e dimë se si ta menaxhojmë më mirë veten tani.

“Ne jemi një skuadër e re, kemi pasur shumë vështirësi vitin e kaluar, duke mos dalë mes katër të parëve në renditje, kështu që ne po mësojmë ndeshje pas ndeshje. Mendoj se merita e madhe shkon për stafin, por gjithashtu për dështimin tonë vitin e kaluar”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit