Mezani “denoncon”: Klube të pandershme, duan të na vjedhin lojtarët!

17 Dhjetor 2018
11:57
back button

Në Gjirokastër kanë marrë frymë të qetë, pas triumfit të bujshëm në ndeshjen e së dielës në Korçë. Një fitore e madhe 3-2, me përmbysje të vazhdueshme e emocione deri në minutën e fundit, me Luftëtarin që ka hedhur një hap gjigant përpara në renditje dhe ka futur në krizë të thellë Skënderbeun, që çuditërisht nuk di më të fitojë.

Trajneri vlonjat Gentian Mezani ka meritë të veçantë në suksesin e Luftëtarit, sepse vlonjati ka qenë ai që ka mbajtur të qetë ekipin në një moment dramatik, me shumë lojtarë që kërkojnë largimin për shkak të problemeve financiare.

Pas ndeshjes Mezani nuk u ndal shumë te problemet financiare: "Luajtëm një ndeshje të mirë, kjo më intereson. Kemi marrë garanci për vazhdimësinë në aspektin financiar, ndaj do të mendojmë vetëm për fushën".

Fitorja nuk është befasi për trajnerin e Luftëtarit: "Nuk e kisha menduar se do dilnim me 3 pikë, por kam besim të plotë gjithnjë, sepse ndeshjet kanë 3 rezultate dhe kisha besim të madh se nuk do dilnim pa pikë nga Korça. Situata është normalizuar në ekip dhe duke parë skuadrën gjatë javës, kam parë motivim të madh".

Kriza nuk mund të quhet e kaluar, gjithsesi: "Jo, nuk mund ta them këtë, sepse nuk do të thotë që një ndeshje mjafton për të mbyllur gjithë problemet.

Mezani ka edhe një denoncim për klubet rivale, që kanë tentuar të rrëmbejnë futbollistë: "Nuk më shqetëson fare fakti që flitet për largime. Më shqetëson vetëm fakti që kontaktohen apo përfliten lojtarë që janë nën kontratë. Nuk është profesionale që lojtarët e mi të kontakohen para çdo takimi dhe këtë e them hapur, sepse disa klube e kanë bërë, duke shpërqendruar lojtarët tanë. Shpresoj që gjëra të tilla të mbeten në të shkuarën".

Tashmë gjirokastritët presin me qetësi ndeshjen e fundit të vitit, kundër Partizanit kryesues: "Sigurisht, sepse ishim shumë keq, pas 3 humbjesh rresht. Do të ishte jashtëzakonisht demoralizuese një humbje tjetër, morëm 3 pikë të çmuara dhe shpresoj të jetë shumë i rëndësishëm për ecurinë tonë".

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit