Mezani: Lojtarët e kanë mendjen të largohen, drejtuesit të reagojnë shpejt!

9 Dhjetor 2018
16:00
Eraldo Harlicaj
back button

Kamza fitoi ndaj Luftëtari 1-0, një ndeshje që konsiderohej si “finale mbijetese”. Takim i rëndësishëm për të dy skuadrat që vinin nga situata aspak pozitive. Për trajnerët, ky moment është akoma më i vështirë dhe këtë gjë e pranon dhe vetë tekniku Gentian Mezani. Ky i fundit është përballur me shumë probleme këto kohë që nga mungesa e rrogave e deri te përplasja me ndihmëstrajnerin italian, Franko Paskualeti.

Humbja  – “Ekipi zgjohet, pasi pësojmë gol. Një mungesë përqëndrimi dhe mosdëshirë në pjesën e parë e kundërta në pjesën e dytë. Humbet qetësia dhe skuadra nuk shënon”.

Financa – “Ju i keni parë dhe financat ndikojnë jashtëzakonisht shumë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për financa. Në skuadër janë djemë që po luajnë dhe të mrekullueshëm. Vështirësohen gjërat dhe futbollistët humbasin dëshirën. Ata duhet të shohin përpara. Do të vazhdojë të shfaqet në çdo ndeshje siç është shfaqur. Nëse nuk ndryshon situata nga drejtuesit do të ketë ndikim. Shpresoj të zgjidhet sa më shpejt, pasi po kthehemi në kohën ndaj Flamurtarit”.

Motivi – “Nuk diskutohet se motivimi nuk është maksimal dhe nuk është aty ku duhet. Lojtarët kanë ngacmime nga skuadrat e tjera. Futbollistët janë telefonuar nga skuadrat e tjera për të vazhduar karrierën larg Gjirokastrës. Futbollistët futen të papërqëndruar në fushë. Zgjohemi kur pësojmë. Drejtuesve ia kam bërë të qartë. Nëse nuk zgjidhet do të jetë e vështirë. Drejtuesit nuk pajtohen me rezultatet. Lojtarët duhet të mendojnë vetëm për futboll. Erdha dhe morëm ca rezultate, por aq është motivimi i trajnerit të ri”.

Sakrifica? – “Ja kam bërë të qartë djemve. E rëndësishme është që të japim maksimumin. Nuk është se nuk e japin. Ata po mundohen dhe sakrifikojnë. Bëhen disa faktorë, kundërshtari e ka më të lehtë. Janë profesionistë dhe duhet të mendojnë vetëm për takimin e radhës. Kanë një kontratë dhe duhet ta zbatojnë. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë dhe drejtuesit të tyrën”.

Marrja e drejtimit – “Ishte dhe dëshira ime, pasi e dija cilësinë e skuadrës. Më është premtuar shumë dhe se situatat do të zgjidheshin. Më dhanë garancinë për vazhdimësinë. Erdha me shpresë se do të zgjidhej situata dhe me këtë shpresë vazhdoj. Më është premtuar se në të kundërt nuk do të hidhesha me një gur në lum dhe do të mbytesha dhe vetë. Me besimin e plotë e mora besimin. Kisha dhe oferta të tjera. Më thonë se do të rregullohet situata”.

Rastet – “Duhej të ishim të përqëndruar. Fola dhe kërkova të kisha markim 1 kundër 1 me Fukuin, por mospërqëndrimi bëri që futbollisti të neglizhonte në atë moment. Nuk mund të krahasohet pjesa e parë me të dytën”.

 E ardhmja  – “Në momentin që nuk zgjidhen dhe do të ketë largime do bëj zgjidhjen time. Nëse nuk zgjidhen do të bëj zgjedhjen time. Kam ardhur i fundit dhe duhet të largohem i fundit, por nëse nuk rregullohet situata nuk do të hedh gjithçka poshtë. Jam trajner i ri dhe jam në karrierë”.

 

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit