Milan, nga Pato te Higuain! Mallkimi i numrit 9-të pas epokës Inzaghi

19 Janar 2019
11:45
back button

Plot 126 gola të shënuar nga Filippo Inzaghi me fanellën e Milanit ka qenë koha e artë kur “djalli” nuk shqetësohej për sulmin dhe goli ishte i sigurt nga një sulmues me nuhatje ekstreme si Super Pippo.

Mirëpo, fanella me numrin  9-të mbi shpinë ka qenë mallkimi i të gjithë sulmuesve që pasuan italianin në majën e ofensivës së Milanit. Deri në verën e vitit 2012, Inzaghi ishte në fushë dhe shënonte rregullisht pavarësisht moshës. Që nga ai vit e deri më sot, cilido sulmues që veshi fanellën me numrin 9-të mbi shpinë nuk ia doli të ruajë ecuri goli. Një seri prej 8 trashëgimtarësh që kurrë nuk ishin në gjendje të merrnin peshën e këtij numri dhe të çonin ekipin përpara me golat e tyre.

Varfëria e Higuain – Në fakt shumica e sulmuesve që janë afruar nga vera e vitit 2012-të nuk kanë rezistuar më shumë se një sezon te Milani dhe janë larguar. Këtë verë në Milano morën frymë lirisht, Gonzalo Higuain duhet të ishte ishte bomberi që do siguronte gola dhe projekti i Elliot ishte që baza të ngrihej mbi argjentinasin, por edhe ai doli një “flluskë sapuni”.

“Pipita” po bën gati valixhet për në Londër, por do i duhet vetëm një çantë dore për të dërguar golat e tij, vetëm 8 të tillë në 22 ndeshje me Milanin, janë shumë pak për një sulmues si ai. Ky ishte sezoni më i keq i argjentinasit, që nga koha kur debutoi me Real Madridin dhe shënoi 9 gola në 34 ndeshje, por asokohe ishte një talent 20-vjeçare që pritej të konfirmohej. Ndërsa sezonin e tij më të mirë e ka në epokën e Sarrit te Napoli (38 gola në sezonin 2015-16). 

Çdo mbrëmje në Milanello duket si një mbrëmje lamtumire për Higuain, çdo ditë në qendrën stërvitore mund të jetë e fundit, por Milani vijon t’i mohojë këto fakte dhe deklarojnë se s’ka darka lamtumire të organizuara dhe sulmuesi po stërvitet normalisht. 

Numra dhe mallkimi i 9-ës – Sulmuesi pas epokës Inzaghi mbajnë edhe emra të “rëndë” si Fernando Torres, i cili ishte kampion Bote e dy herë kampion Evrope me Spanjën, madje ishte i “rrahur me vaj e uthull” me futbollin elitar, por në Milano dështoi të japë diçka me vlerë.

Megjithatë, alarmi i vërtetë fillon që nga koha e Alexandro Pato. Braziliani ishte i pari në serinë e sulmuesve që ngecën te Milani. Pato kishte krijuar një emër të madh, por forma e tij erdhi gjithnjë e në rënie, aq sa në sezonin e tij të fundit u largua me vetëm dy gola të shënuar.

Pas tij, tre të tjerë me radhë dështuan. Alessandro Matri dhe Torres kapin mjerimin e shënimit me vetëm nga një gol, më mirë mbetet Mattia Destro me tre realizime, por asnjëri nga këto nuk arriti të përfundojë një sezon të tërë. Më pas Luis Adriano, kishte shumë shpresë tek një brazilian që kishte shkëlqyer me Shakhtar Donestk, por në fund edhe ai bashkua listët së dështimeve me 6 gola të shënuar dhe u largua për në Kinë, u rikthye sërish te Milan dhe më pas shkoi në Rusi.

Në balancë, sigurisht qarkullimi më i mirë në raport me listën e sulmuesve është ai i Gianluca Lapadula, i cili shënoi 8 gola në sezonin 2016-17 dhe më pas i la vendin Andre Silvës. Portugezi do ta mbyllë vitin e vetëm të Milanit me 10 gola, por ndryshe nga Lapadula tek ai peshë kanë golat në Europa League.

Historia e Milanit ka njohur 13-të numra 9-të që kanë korrur sukses, nga Weah, te Patrick Kluivert, Inzaghi apo edhe te Gianni Comandini. Por, janë edhe 8-të sulmues që kanë dështuar në 7 vite me fanellën kuqezi e me numrin 9-të mbi shpinë. E ardhmja quhet Krzysztof Piatek, një polak i ri, i talentuar, për më tepër një makineri golash. Shifrat flasin vetë (19 gola në 21 ndeshje me Genoan), por mbetet për t’u parë në cilën listë do hyjë 23-vjeçari, në listën e të mëdhenjve apo të dështakëve të numrit 9-të.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit