Milani e fillon mirë, Pioli lartëson Ibrën: Duam grupet e Ligës së Europës

18 Shtator 2020
9:51
Alfred Lleshi
back button

Milani kapërcen pengesën e Shamrock Rovers me fitoren 2-0, falë golave të Ibrahimovic dhe Calhanoglu. Jo vetëm që sezoni i ri fillon në mënyrën më të mirë, por jepet garanci edhe për raundin e tretë kualifikues të” Europa League”, ku kuqezinjtë do të përballen me norvegjezët e Bodø / Glimt.

Stefano Pioli, duke folur për “Sky” në fund të lojës, nuk e fshehu kënaqësinë e tij: “Kjo ishte një provë shumë positive për ne. U ndeshëm me një kundërshtar në gjendje fizike më të mirë se ne. Kisha frikë nga ndeshja e parë, pas disa javësh, por kurrë nuk kisha frikë nga identiteti i ekipit. Nuk ishte e lehtë, por ne e kontrolluam lojën, edhe pse duhet të rritemi ende. Ky Milan ka provuar të jetë i një niveli të lartë që nga janari”.

Rruga që çon në fazën e grupeve nuk ka mbaruar ende: “Ne duam të fitojmë dhe të ecim përpara, për t’u kualifikuar në grupe. E dimë që Bodø / Glimt është një ekip shumë i fortë, por së pari duhet të mendojmë për ndeshjen e kampionatit kundër Bologna”.

Zlatan Ibrahimovic ishte ndër lojtarët më të mirë: “Ai është një lojtar tepër inteligjent, gjithmonë e di se ku është më mirë të pozicionohet. Është një pikë referimi, një kampion, unë pres shumë prej tij”.

Milani e përfundoi në rritje sezonin e kaluar dhe e filloi sezonin e ri me një fitore: “Ne duhet të vazhdojmë të rritemi, sepse kundërshtarët e ardhshëm do të jenë të vështirë. Jemi Milani, duhet ta mbajmë nivelin sa më lart që mundet, për të bërë më të mirën”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit