Milani, Gattuso, numri “10” te Brazili. Paqueta tregon “parajsën”!

22 Mars 2019
16:31
Anton Cicani
back button

E kush mund ta imagjinonte që brenda pak kohësh, jeta e Lucas Paqueta do të ndryshonte totalisht? Një "sprint" apo galopim, duke kaluar Oqeanin, për t'u bërë protagonist.

Nga Flamengo te Milani, deri te numri "10" i kombëtares braziliane. "Do ta bëj kornizë, e sigurt. Kështu, mund ta shohë e gjithë familja ime". E merr me shaka, një dozë që çdokush duhet të injektojë në venat e tij sa herë zgjohet në mëngjes.

E të mendosh që emra si Neymar, Ronaldinho, Pele, Zico e kanë veshur atë fanellë. "Të gjithë të mëdhenj dhe tashmë është një krenari dhe nder për mua", shprehet futbollisti kuqezi nga grumbullimi me Selecaon në Brazil, në prag të dy miqësoreve kundër Panamasë dhe Çekisë. Paqueta është në qiellin e shtatë.


"Tani më jepet edhe mua kjo mundësi. Shpresoj të jem në lartësinë e duhur për të mbrojtur këto ngjyra. Por, numri "10" në fanellë është relativ: një privilegj të luash me çdo numër dhe dua të bëj mirë për të gjetur hapësira". Paqueta do të provojë që të fitojë edhe zemrën e trajnerit Tite, duke falënderuar Gattuson.

"Milani më ka përgatitur më mirë dhe më ka mbështetur sidomos nëpërmjet trajnerit. Gattuso është një profesionist i madh dhe një person i jashtëzakonshëm që të shtyn të japësh më të mirën", tregon blerja e re kuqezi. 

"Te Milani luaj si mesfushor krahu  majtë, një pozicion që më pëlqen. Këtu në Brazil, sakaq, Tite më jep mundësi që të jem më pranë zonës kundërshtare, me shumë liri".

Paqueta u transferua në janar nga Flamengo te Milani për shifrën 35 mln euro dhe bonuse. Deri tani, me kuqezinjtë ka luajtur 13 ndeshje dhe të gjitha titullar, duke shënuar vetëm 1 gol.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit