Milani nuk flet frëngjisht… Kuqezinjtë “tradhtohen” nga Maignan, Theo Hernandez dhe Giroud

29 Nëntor 2023
10:46
Alfred Lleshi
back button

“Je regrette quelque chose” (“Më vjen keq për diçka”). Ky është një citat i Edith Piaf, e njërës prej krijimeve të saj më të famshme, por mbrëmja e kaluar e Milanit në Champions League lë vend për më shumë se një element për t’u penduar.

Nga penalltia që Giroud gjuajti në krahët e Kobel, te gabimi i Maignan, që i lejoi Adeyemi golin përmbyllës të ndeshjes 3-1 për Borussia Dortmundin, ndeshja e pestë e grupit ishte e mbushur me episode të pafavorshme për kuqezinjtë.

Ndeshja në “San Siro” nxori në pah një gjë: blloku francez i Milanit, më përfaqësuesi deri tani, nuk dha kontributin e duhur në një mbrëmje që mund t’i hapte dyert “Djallit” për t’u kualifikuar në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve.

Gjatë tri viteve të fundit, Milani ka ndërtuar një ekip rreth Maignan, Theo Hernandez dhe Giroud, teksa ka arritur të përmbysë parashikimet. Në vitin 2022, titulli mbërriti, i rrëmbyer nga Interi tepër i favorizuar, në një duel të largët pikë për pike, që përfundoi me kuqezinjtë vetëm një pikë përpara rivalëve të tyre të qytetit në renditje.

Sezonin e kaluar, skuadra e Piolit u rikthye në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Rezultate të arritura falë golave ​​të Giroud, inkursioneve të Theo nga mbrojtja dhe pritjeve, ndonjëherë në buzë të realitetit, të ish-portierit të Lille. Kundër Borussia Dortmundit, kuqezinjve iu duhej të fitonin me çdo kusht për t’i mbajtur më të gjalla se kurrë shpresat e tyre për kalim në raundin tjetër.

Giroud Theo Hernandez Maignan

Dhe pas 6 minutash lojë iu erdhi një dhuratë e papritur nga verdhezinjtë: prekje e topit me dorë në zone, që rezultoi penallti. Olivier Giroud u shfaq te pika e bardhë, duke pritur tashmë zhurmën e fansave, pas dërgimit të topit në rrjetën e portës kundërshtare. Megjithatë, gjuajtja e francezit u bllokua nga Kobel dhe pak çaste më vonë, Borussia kaloi në avantazh me një tjetër penallti, këtë herë të dhënë në favor të saj.

Nëse nuk e gjykoni një lojtar nga këto detaje, edhe pjesa tjetër e performancës së Giroud nuk i përmbushi pritshmëritë mbrëmë. Nëse Olivier qan, Theo Hernandez nuk qesh. Anësori francez duhet të kishte vrapuar shpesh në krahun e majtë, duke krijuar një epërsi numerike konstante në 25-30 metrat e fundit ndaj lojtarit me këmbë të majtë.

Realiteti është se anësori kuqezi pothuajse kurrë nuk ia doli në synimin e tij fillestar, duke i privuar ekipit të Piolit një zgjidhje taktike rreth së cilës Milani ka ndërtuar “pasuritë” e fundit. Kontributi i francezit përpara ishte gjithashtu i cunguar, mbi të gjitha edhe në tërheqjet në mbrojtje, duke hapur “derën” për kundërshtarët.

As Maignan, i cili vetëm tri ditë më parë kishte bërë një pritje të bujshme ndaj Mandragora, pak centimetra larg portës, nuk mundi ta mbronte Milanin. Përveçse nuk mundi të priste penalltinë e Reus, një detaj që gjithashtu mund të anashkalohet, portieri francez nuk u duk i patëmetë në pozicionimin e tij te 2-1 për gjermanët, pa përmendur ndërhyrjen e tij të ngathët në gjuajtjen e Adeyemi, e cila pastaj përfundoi në rrjetë.

T’i vendosësh të gjitha përgjegjësinë mbi tre francezët, edhe pse ata janë lojtarët më të mirë në skuadër për momentin, do të ishte e padrejtë për të thënë të paktën. Pjesa tjetër e skuadrës së Piolit mungoi gjithashtu në natën e ftohtë të fundit të nëntorit në “San Siro”, me përjashtim të disa ndezjeve si ai që çoi në barazimin momental të Chukwueze.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit