Milani përgatitet për revolucion në janar, plot katër largime të sigurta!

16 Nëntor 2019
13:36
back button

Milani nuk po ecën në hapat e duhur këtë sezon, me kuqezinjtë që renditen në vendin e 14-të pas 12 javëve të luajtura në Serie A.

Duke parë paraqitjet e ekipit, ndërhyrjet në merkaton e janarit janë të domosdoshme, ku do të ketë afrime dhe largime. Pikërisht në lidhje me largimet, mediat italiane shkruajnë se nga “San Siro”, janë plot katër lojtarë që e kanë thuajse të sigurt largimin në janar.

Emri i parë është padyshim Franck Kessie, me mesfushorin që nuk ka një marrëdhënie të mirë me trajnerin Pioli dhe në ndeshjen e fundit ndaj Juventus nuk u grumbullua fare me ekipin. Fabio Borini gjithashtu pritet të largohet, me italianin që prej kohësh nuk ka hapësira.

Dyshimi më i madh është në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku duke u bazuar në ndeshjet e fundit, pritet që Davide Calabria të huazohet në një tjetër ekip, pasi Celik pritet që të afrohet nga Lille, si zgjidhja e duhur.

Ricardo Rodriguez gjithashtu është me valixhe në duar, pasi zvicerani nuk e pranon stolin. Dortmund me shumë gjasa do të jetë destinacioni i tij. Këto janë katër emrat që shihen si largimet e mundshme të Milanit.

Nuk përjashtohet edhe emri i Piatek nga kjo listë, pasi polaku nuk ka bindur aspak dhe drejtuesve kuqezi i është sosur durimi. Në rast se forma e Piatek nuk ndryshon deri në janar, një largim i tij mund të jetë opsion për Milanin, me Ibrahimovic që do të merrte vendin e “pistoletës”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit