Milan-Juventus, ja pse gjyqtari Valeri akordoi penallti në minutën e 90-të

14 Shkurt 2020
9:52
Alfred Lleshi

Juventusi barazoi 1-1 kundër Milanit, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Kështu, gjithçka do të vendoset në duelin e kthimit, të planifikuar më 4 mars, në “Allianz Stadium”. Bardhezinjtë evituan humbjen në “San Siro”, falë një penalltie të fituar dhe kthyer në gol nga Cristiano Ronaldo në minutën e 90-të. Në fakt, roveshiata e portugezit e pa topin të përplasej në krahun e Calabria. Moment mjaft i dyshimtë, që ka mbetur i diskutueshëm edhe pas ndeshjes. Pas kontrollit me VAR, gjyqtari Valeri akordoi penallti.

Polemikat e pasuan këtë vendim, si në mesin e lojtarëve të Milanit, në fushë, ashtu edhe te tifozët kuqezinj, që kanë shpërthyer në rrjetet sociale. Pyetja ngrihet e tillë: pse Valeri vërshëlleu për penallti? Rregullat i kemi në dorë, le të përpiqemi të shpjegojmë përse. Ky është pasazhi i rregullores, siopas medias italiane, që gjyqtari ka thirrur në ndihmë me këtë rast: “Nëse një futbollist prek topin me duar / krahë, kur ato pozicionohen në mënyrë të panatyrshme, duke rritur hapësirën e zënë nga trupi, akordohet penallti”.

Nga ana tjetër, pasi ka parë kontaktin e topit me dorë në VAR, Valeri shihet duke biseduar me Calabria. Kryesori qartëson lëvizjen e gjerë të krahut, ndërsa mbrojtësi kuqezi imiton duke kërcyer me krahët e tij (sikur thotë se nuk mund shkëputem nga toka pa hapur krahët). Sidoqoftë, nuk ka kthim prapa. Milan-Juventus përfundoi 1-1 dhe finalja e Kupës së Italisë është ende e hapur për të dyja skuadrat. Gjithçka vendoset në gjysmëfinalen e kthimit, në shtëpinë e bardhezinjve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit