Milano, ja pse është qyteti unik i Champions-it. Interi e ka në dorë për ta ruajtur këtë rekord…

10 Qershor 2023
8:31
Alfred Lleshi
back button

Në historinë gati 70-vjeçare të Kupës së Europës/Liga e Kampionëve, ka shumë qytete që kanë festuar titullin e një prej skuadrave të tyre. Por deri më sot ka vetëm një që mund të mburret me dy kampionë të Europës. Ai qytet është Milano. E ka arritur 10 herë, 7 me Milanin dhe 3 me Interin.

Dhe që në fillim e ka këtë gjendje/privilegj, pasi skuadra kuqezi e fitoi për herë të parë në vitin 1963. Rivali i madh ndërqytetas e bëri këtë vitin e ardhshëm. Që atëherë, ky kompeticion elitar e ka mbajtur qytetin me këtë nder të veçantë.

Askush tjetër nuk mund të thotë të njëjtën gjë, megjithëse disa e kanë prekur atë. Konkretisht tre. Njëra ishte Londra, e cila pavarësisht se kishte shumë ekipe të nivelit të Premier League, nuk pa ndonjë “kupë veshëgjatë” deri në vitin 2012, kur Chelsea e bëri “sefte”. Shansi i vetëm i Londrës për të pasur dy kampionë europianë ishte në vitin 2019, por Liverpool-i ia rrëmbeu mundësinë Tottenhamit.

Një tjetër qytet është Madridi, i cili e ka pasur në dorë tri herë, aq sa finalet e luajtura nga Atlético Madridi. Bavarezët e penguan në vitin 1974 dhe më pas ishte skuadra tjetër nga kryeqyteti spanjoll, Real Madridi, që nuk e lejoi të shpallej kampion europe më 2014 dhe 2016.

Qyteti i tretë është Manchesteri. Pas tri fitoreve të Manchester United (1968, 1999 dhe 2008) shansi i parë erdhi më 2021, por Chelsea pengoi triumfin e Manchester City në finale. Tani vjen shansi i dytë, në Stamboll.

Gjysma e qytetit të Milanos, ajo kuqezi, me siguri nuk do të ketë problem të ndajë nderin e të qenit i vetmi me dy kampionë evropianë, sepse kjo do të thotë se rivali i madh zikaltër e ka ngritur tri herë më parë trofeun e Ligës së Kampionëve.

Edhe në Manchester e njëjta gjë do të ndodhë, do të bëjnë tifo për të besuarit e Guardiolës. Stambolli do të vendosë nëse qyteti anglez mund të hyjë në histori. Interi dëshiron ta parandalojë këtë gjë. Nga ata varet nëse Milani do të vazhdojë të jetë qyteti unik i Champions League.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit