Milito i jep zemër Interit për titullin, “shenjtëron” patriotët e tij

19 Nëntor 2019
12:36
Alfred Lleshi
back button

“Princi” e sheh Interin atje lart, tashmë si pretendent për titull. Thjesht një telefonatë nga ana tjetër e botës dhe Diego Milito është gati të flasë për zikaltrit. Ai mban kontakte të rregullta me Javier Zanetti, të cilit thotë se i ka sugjeruar Lautaro Martinez: “Unë e telefonova kapitenin, i thashë për Lautaro. Ai tashmë e njihte, por donte të dinte më shumë. Ne biseduam për atë në raste të tjera. I dhashë garanci për këtë lojtar dhe ja ku jemi”. Argjentinasi, 40 vjeç, që e ka veshur fanellën zikaltër nga viti 2009 deri më 2014, një nga arkitektët e “tripletës”, flet lirshëm për skuadrën e tij të mëparshme, duke prekur edhe shumë tema të tjera: nga Messi te Ibra, nga Icardi te Maradona. 

Në intervistën e dhënë për “Gazzetta dello Sport”, Diego Milito flet edhe për Conte: “E kujtoj atë në një stol tjetër. Ai është një trajner i shkëlqyer, nuk kam asnjë dyshim, po e tregon këtë. Është në kulmin e historisë së Interit. Dhe ne, interistët, jemi të lumtur që skuadra jonë po luan një futboll proaktiv dhe fitues”. Disa fjalë edhe për largimin e Icardit nga Interi: “Unë them se mbaroi mirë. Përtej gjykimeve që mund të bëhen nga jashtë, lamtumira ishte një “pazar” i mirë për të gjithë. Edhe për vetë Mauro, që shkoi në Paris dhe po bën shumë mirë. Por, edhe për Interin, i cili e zëvendësoi si duhet”. 

Një vlerësim edhe për patriotin tjetër zikaltër, Lautaro Martinez: “Unë kam qenë i bindur për të, se do të bënte gjithçka që po tregon tashmë. Natyrisht, ka vend për përmirësime, kufijtë mund të vendosen vetëm prej tij. Kam dëgjuar atë që tha Conte për të, jam dakord. Varet vetëm nga Lautaro për të kuptuar se ku dëshiron të shkojë. Por, me siguri mund të bëhet një lojtar i nivelit të lartë. Ku mund të përmirësohet? Mbi të gjitha në temperament. Një sulmues duhet të marrë më pak kartonë të verdhë, unë ia thashë këtë edhe personalisht. Ka kohë ta kuptojë këtë, është pjesë e procesit të pjekurisë, që nuk ka përfunduar ende”.

A beson vërtet Diego Milito në fitimin e titullit nga ky Inter? Ja përgjigjja e tij: “Po. Unë mendoj se do të jetë një duel me Juve deri në fund. Interi është në gjendje të garojë me bardhezinjtë, ka potencialin e duhur. Vërtet, Juve ka më shumë përvojë në nivele të caktuara, por entuziasmi i një fillimi të shkëlqyer do të ndikojë pozitivisht te zikaltrit”. Diego Milito u ndal edhe te Messi e Ibrahimovic. Suedezi po përflitet për një rikthim në Itali: “Ai është akoma kampion. E kam ndjekur në MLS, ende e shoh në formë të shkëlqyer. Do të ishte mirë që Seria A ta mirëpresë përsëri”.

Italia po shijon CR7, por a do ta shohim edhe Messin në Serie A? Argjentinasi jep mendimin e tij: “Ta shoh atë në Itali është ëndrra ime, shpresoj se do të bëhet realitet. Për mua është më i miri në histori. Më i madh se Maradona? Kam kujdes me këtë krahasim. Diegon e pashë të luante kur isha fëmijë. Flas më kollaj për Messin, sepse pata fatin të luaja dhe të stërvitesha me të. E pashë nga afër se çfarë është i aftë të bëjë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit