Ministrja e Financave: Dy kërkesa të klubeve, të negociueshme. Harrojini 7 miliardë lekë nga buxheti i shtetit

15 Shtator 2020
14:38
Alfred Lleshi
back button

Ministrja e Financave, Anila Denaj, ka analizuar kërkesat e klubeve të Superiores, duke thënë se dy prej tyre mund të negociohen, por nuk pranon ultimatume dhe shantazhe, sikurse u shpreh ajo: “Futbolli nuk duhet të jetë mjet shantazhi ndaj qeverisë. Kemi miratuar ligjin që nxit sponsorizimet. Kemi folur për formalizim, për sfidat e saj në të gjitha fushat e ekonomisë. Nuk është produkt i një qeverisjee. Kemi folur për informalitetin edhe në futboll. Duam që klubet të formalizohen në një afat 2-vjeçar, për t’u ndihmuar. Klubet nga 2 vite duan që kjo të shkojë në 10 vite.

Kërkesa e tretë ka të bëjë me gjobat dhe faljen fiskale. Duam ta shohim këtë kërkesë si diçka që nxit investimet në terrenet sportive. Kërkesa e fundit është TVSH, zbritja e saj nga 20 në 6 për qind, si sektori i turizmit apo bujqësisë. Kemi ulur në 6 për qind TVSH e investimeve në infrastrukturën sportive. Biznesi që drejton ligën të shkëputet nga aktiviteti i tij dhe të nxisë sportin në mënyra të tjera.

Kjo për të mos dekurajuar asnjë, por për të marrë masa më të mira për zhvillimin e sportit. Klubet janë pjesë e pushtetit vendor. Pse? Ngaqë është territori dhe aseti i tyre. Menaxhimi është diçka ndryshe. Roli i pushtetit vendor është domosdoshmëri. Nuk mund të financojë bashkia pagën e futbollistëve. Ka presione të mëdha për të paguar detyrimet nga taksat që mblidhen për t’u marrë me pastrimin e qytetit dhe punët e tjera, nuk mund të paguhen rrogat e futbollistëve me to.

Për të gjithë përfaqësuesit e Ligës, ftesa mbetet e hapur. Debati nuk do të ndodhë nëpërmjet televizioneve, por të kuptojmë të dyja palët që financimet në sport dhe jo vetëm në futboll të jenë mjet për të nxitur rininë që të merret me aktivitete sportive.

Është bërë shumë, do të bëhet edhe më shumë. Mund të ulemi të flasim në çdo kohë. Të kuptojmë çfarë kërkojnë. Nuk mund të kërkojnë 7 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, kjo nuk bëhet. Kemi nevojë për t’i formalizuar të gjitha fushat. TVSH nuk është llogjike të bëhet 6 për qind në futboll, për investimet në sport po. Nuk është llogjike të ulet TVSH nga 20 për qind në 6 për qind.

Përfaqësuesit e Ligës të kuptojnë se qeveria shqiptare ka mbështetur, i mbështet dhe do t’i mbështesë. Koha për informalitet dhe kërkesa të palogjikshme ka mbaruar. 2 kërkesa të Ligës janë të negociueshme. Mbështetja buxhetore është 45 për qind për 100 lekë investim. Nuk mund të shtyhet afati 2-vjeçar që kemi miratuar për tatimet e sportistëve. Nxitja për këto 2 vite është diçka pozitive, por kërkesa për 10 vite dëmton buxhetin e shtetit. Atëherë do të prishnim balancat në sektorët e tjerë”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit