Miq, IP të kriptografuara dhe blerje të minutës së fundit: ja pse kishte 30 mijë gjermanë në Camp Nou  

15 Prill 2022
16:25
Denis Hakanaj
back button

Pavarësisht se kanë qenë vetëm 5 mijë biletat në dispozicion të tifozëve të Eintracht Frankfurt, mbrëmjen e së enjtes kanë qenë pothuajse 30 mijë gjermanët e pranishëm në Camp Nou për të mbështetur ekipin e tyre.

Një numër mbresëlënës që ka zemëruar katalanasit duke përfshirë edhe presidentin Joan Laporta. Kicker.de ka shpjeguar se si kanë arritur gjermanët të kalojnë pengesat për të siguruar biletat dhe kanë lëvizur në masë (me avionë, autobuse, trena, makina, motorë dhe kamper) drejt Barcelona-s.

Shumë kanë kontaktuar miqtë, familjarët dhe kolegët banues në Spanjë për të shmangur bllokimin e adresave IP ose të kartave të kreditit gjermane.

Por ka edhe nga ata që kanë përdorur një rrjet të kriptografuar dhe ka siguruar një kartë krediti të huaj për të patur mundësi të blejë biletën.

E gjitha kjo me shpresën që në hyrjen e stadiumit të mos kërkohej një dokument identifikimi duke parë se shitja e biletave ishte e ndaluar për gjermanët.

Por jo vetëm. Siç ka shpjeguar zëdhënësi i Eintracht, Axel Hellmann, disa mbështetës të klubit duket se kanë shkuar në Barcelonë pa biletë dhe e kanë blerë atë para ndeshjes:

“Tifozët tanë kanë blerë bileta në çdo mënyrë të mundshme dhe nëpërmjet çdo kanali të mundshëm. Kam parë personalisht disa persona të shkojnë te tifozët e Barcelona-s për t’i bindur t’i shisnin biletat. Dhe në disa raste kanë patur sukses”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit