Miqësore absurde në Amerikë, Chelsea-t i dëmtohet një nga yjet e ekipit!

16 Maj 2019
16:07
back button

Vetëm pak ditë para finales së Europa League kundër Arsenalit, Chelsea është detyruar të fluturojë për në Amerikë, ku në Boston ka luajtur një ndeshje miqësore kundër New England Revolution.

Miqësorja ishte ideuar nga pronari i Chelseat Roman Abramovich disa muaj më parë, kur u sulmua një sinagogë në Pittsburg (11 të vrarë), dhe kishte si synim të mblidhte fonde për luftën kundër semitizmit dhe diskriminimit, në emër të një fushate të quajtur ‘Final Whistle on Hate’.

 Abramovich është çifut dhe është bashkuar me pronarin e Revolution, Robert Kraft, për të ndjekur ndeshjen dhe për të dhuruar secili nga 1 milion dollarë për fondin e bamirësisë që arriti në 4 milionë dollarë.

Përballë 25 mijë tifozëve, Chelsea fitoi 3-0 me dy gola nga Barkley e një nga Giroud, por përveç lodhjes, miqësorja ka pasur kosto të madhe për Blutë, sepse është dëmtuar mesfushori i rëndësishëm Ruben Loftus-Cheek. 

Talenti i Chelseat pësoi një dëmtim në tendinën e Akilit dhe me shumë gjasa nuk do të luajë dot në finalen e Europa League. Loftus-Cheek u fut pas pushimit, por 20 minuta pas futjes së tij ra keq dhe u desh ndihma e stafit mjekësor për ta ndihmuar të shkonte drejt dhomave të zhveshjes, ndërkohë që më vonë 23-vjeçari doli nga stadiumi me ndihmën e patericave.

Në formë të shkëlqyer, Loftus-Cheek është kthyer në titullar fiks te Blutë dhe pritej të grumbullohej nga kombëtarja për ndeshjet e muajit të ardhshëm në Nations League, por tashmë mendohet se dëmtimi do ta mbajë jashtë deri në gusht. Jo rastësisht, trajneri Maurizio Sarri u ankua hapur për këtë miqësore kur mbaroi kampionati, ndërsa në Amerikë nuk foli fare për mediat, dukshëm i nervozuar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit