Miqësorja e luksit, Italia dhe Gjermania matin forcat para “Euro 2020”

6 Dhjetor 2019
9:21
Alfred Lleshi
back button

Pas një fushate kualifikimi mbresëlënëse në një grup pa shumë rivalitet, Italia fillon të bëhet serioze. Ajo do të përgatitet të bëjë përshtypje të mirë në Kampionatin Europian 2020. Për këtë, do të zhvillojë disa miqësore luksi. Njëra prej tyre do t’i shohë axurrët përballë një kundërshtari historik: Gjermanisë. Kjo miqësore u komunikua nga DFB (Federata Gjermane) dhe FIGC (Federata Italiane) në faqet e tyre zyrtare, bashkë me datën përkatëse. Në faqen e kësaj të fundit lexohet: “Përfundoi fushata kualifikuese me pikë të plota, falë një gare të qartë dominuese, me 10 fitore në 10 ndeshje. Kombëtarja e drejtuar nga Roberto Mancini vazhdon marshimin drejt “Euro 2020”, duke u përballur me Gjermaninë, të martën e 31 marsit 2020 (në orën 20:45), në Nuremberg”.

Ndeshja e fundit mes Italisë dhe Gjermanisë daton në nëntor 2016 dhe përfundoi 0-0. Bëhet fjalë për një miqësore të luajtur në “San Siro”. Në historinë e dy kombëtareve, ballafaqimet epike janë pothuajse të pafundme: nga gjysmëfinalja e “Meksikë 1970” deri te “Gjermani 2006”. Shembujt në këtë drejtim nuk mungojnë. Gjermania do të jetë kundërshtari-test i dytë për Italinë në rrugën e Europianit. Në të njëjtin muaj, Mancini dhe skuadra e tij do të përballen me një sfidë tjetër të nivelit të lartë, kundër një ekipi kombëtar, që ende nuk është njoftuar. Gjermanët, nga ana tjetër, do të kenë përballë Spanjën më 26 mars, edhe ajo miqësore përgatitore për fazën finale të “Euro 2020”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit