Futboll

Mirabelli “hap thesin”: Kinezët, André Silva, Gattuso, Bonuçi dhe pengu i madh

Massimiliano Mirabelli u largua në verë nga Milani, së bashku me ish-administratorin e deleguar Marco Fassone, ndërsa që atëherë nuk ka folur asnjëherë, deri këtë të hënë, ku ka qenë i ftuar në Procesin e televizionit 7 Gold. Një “lumë” i tejmbushur, që tashmë derdhet, sepse Mirabelli i thotë të gjitha, nga raporti i tij me Milani dhe pronarët kinezë, deri tek merkatoja, shpenzimet, yjet e blerë dhe ata të pablerë, si dhe një këshillë për Leonardon e Maldinin…

KINEZËT – “Për Mister Li mendoj si të gjithë, është diçka e çuditshme që dikush të blejë Milanin dhe ta lëshojë pas pak kohësh. Ka shumë gjëra për të menduar, natyrisht na ka habitur jo pak. Nuk kam informacion më shumë se gazetarët, pronarët kishin lidhje direkte vetëm me Fassone-n. Mungonte komunikimi, ishte një botë dhe mentalitet tjetër, por për kohën që kam qenë aty u treguan gjithnjë korrektë në aspektin financiar, vetëm kësti i fundit prej 30 milionë eurosh nuk erdhi”.

MILANI – “Kam mbetur milanist, bota e Milanit më ka bërë për vete dhe do mbetem gjithnjë tifoz. Edhe një ditë e vetme te Milani ka qenë një nder i madh dhe i jashtëzakonshëm për mua, ishte diçka shumë e bukur të jetoja këtë botë, edhe pse vetëm për 15 muaj”.

ANDRE SILVA – “Vlera e tij nuk diskutohet, edhe për të ardhmen. Bëmë një zgjedhje që e dinim që ishte e rrezikshme, sepse është një djalë i ri, i duhej kohë dhe besim, por 1 vit është shumë pak, për të gjithë”.

AUBAMEYANG – “Pengu i vetëm është ai, ndoshta, sepse e dini mirë sa shumë e çmoj. Kishim nevojë të bënim revolucion në ekip, shpenzuar 160-170 milionë, por na duhej një bosht i fuqishëm dhe në sulm na mungonte një emër i rëndësishëm”.

GATTUSO – Në fillim të sezonin të shkuar u konfirmua Montella dhe ishte vendimi i drejtë në atë moment, sepse ai e çoi Milanin në Europa League, por më pas la pikë të arta me ekipet më të dobët të Serisë A dhe aty humbëm shumë terren. Me Gattuso-n patëm një ritëm prej Champions League, doli i treti për periudhën që drejtoi. Rino nuk është vetëm një trajner që bërtet e jep zemër, është novator, një ndër më të mirë në botë, edhe pse mediat nuk e vlerësojnë shumë”.

REINA – “Patëm mundësinë ta merrnim falas, e morëm sepse nuk e dinim nëse Donnarumma do qëndronte apo jo. Reina është lojtar me cilësi të jashtëzakonshme, u treguam të qartë që në fillim me të, na duhej shumë eksperienca e tij, brenda e jashtë fushe”.

KRENARIA – “Nuk regjistruam kurrë ndonjë humbje në vlerë lojtarësh, çdo lojtar që morëm dhe është larguar ka pasur një vlerë plus në treg”.

BONUÇI – “Është normale që ai të thotë disa gjëra për t’u justifikuar, por unë mund të them që Bo9nuçi me ne është treguar profesionist 100%, një kampion i vërtetë brenda e jashtë fushe. I pari që shkonte në stërvitje dhe i fundit që largohej. Ekuilibrat nuk i spostonte dot i vetëm, ishte qendërmbrojtës. Duhet ekip, ose ndonjë sulmues i nivelit botëror. Nuk e prisja të kthehej te Juventusi pas vetëm një sezoni, mendoja se do e mbyllte karrierën te Milani”.

DONNARUMMA – “Mbaj mend që mediat na sulmuan dhe na konsideruan të dështuar për çështjen Donnarumma, hasëm shumë vështirësi. Shumë lojtarë hynin në vitin e fundit të kontratës, por Donnarumma ishte një çështje tepër delikate, sepse Raiola është shumë i zoti dhe mendon për interesat e tij dhe të klientëve të tij. I dhamë një pagë të madhe, e vërtetë, por nëse largohej falas klubet e tjera do i jepnin 20-25 milionë euro shpërblim. Për talentet është normale të shpenzohet shumë, ky është futbolli modern. Pasi firmosëm për rinovimin, Raiola më telefonoi për të më bërë komplimente. Kur erdhëm ne, ai u zemërua sepse nuk e lejuam të bënte më biznes me Milanin si në të shkuarën. Po të tregohesha më miqësor, ndoshta mediat do shkruanin gjëra më të mira për mua”.

IBRAHIMOVIC – “Nuk do e merrja, po të isha ende drejtues. Cristiano Ronaldo? Është një pyetje së cilës nuk i përgjigjem dot, një argument që nuk trajtohet dot tani”.

GABIMI – “Duke parë pas në kohë, nuk do e ribëja zgjedhjen për të bashkuar në një ekip vëllezërit Donnarumma. Nuk u kuptua nga protagonistët”.

Më shumë nga Futboll