“Mjaft më me delirantë, prepotentë, të pacipë dhe intrigantë”; Sokol Kushta propozon identikitin e trajnerit të ri të kombëtares

28 Shtator 2022
15:29
Alfred Lleshi
back button

Situata në kombëtaren shqiptare është kaotike. Nëse trajneri dhe lojtarët kanë fajësuar njëri-tjetrin me nëntekst në prononcimet e tyre publike pas dy eliminatoreve të fundit të edicionit në Ligën e Kombeve, humbjes në Izrael dhe barazimit të mbrëmshëm ndaj Islandës në “Arena Kombëtare”, tifozët kuqezi shpërthyen me kontestime ndaj beniaminëve të tyre.

Ata që vijojnë të heshtin janë drejtuesit e FSHF-së, presidenti Duka, i cili ka privilegjin dhe përgjegjësinë personale për të caktuar trajnerin e kombëtares. Pra, për mirë apo për keq, produkti i Edy Reja është edhe përgjegjësi e tij.

Sidoqoftë, ajo që ka ndodhur nuk zhbëhet më, ndaj duket se Duka do të shohë përpara, po mendon për trajnerin e ri, duke e konsideruar të mbyllur bashkëpunimin me Reja. Pikërisht lidhur me identikitin e pasuesit të trajnerit veteran italian ka dashur të japë mendimin e tij edhe Sokol Kushta, ish-sulmuesi i shquar i Partizanit, Flamurtarit dhe kombëtares shqiptare:

“Mbas shiut thonë se del dielli… Do të presim të shikojmë reagimin e presidencës si do të veprojë me zgjedhjen e trajnerit të ri. Sidoqoftë, ne duhet të heqim dorë nga këta trajnerë delirantë, prepotentë, cinikë dhe intrigantë. Ky trajner (Reja) në asnjë ndeshje nuk mori përsipër, qoftë dhe një herë të vetme, gabimet e tij, por i delegoi mbi të tjerët; lojtarët, barin e fushës, arbitrin.

Asnjëherë nuk i mori përgjegjësitë mbi shpatullat e tij, çka tregon mungesë të theksuar karakteri. Dhe në këtë moshë që është…, si i pacipë pret që të vendosë presidenti për kontratën e re. Presidenca duhet të zgjedhë një njeri punëtor, me karakter luftarak, të respektojë popullin dhe mentalitetin shqiptar.

Fjala vjen ka trajnerë si Gattuso që kur vajti në Greqi pagoi me lekët e tij rrogat e lojtarëve. I mbështeti dhe iu doli në krah në çdo moment. Një njeri me zemër dhe emër të madh, që e do punën. Prandaj duhet ta shikojmë mirë se cilin trajner do të zgjedhim, ngaqë elementi dhe talenti te këta djem kuqezinj nuk mungon. Sa më shpejt ata tifozë që iu kthyen kurrizin dje, të rikthehen në krah të lojtarëve tanë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit