Mjeshtri i “autobusit të parkuar” për pak aksidentoi automjetin e Romës gjatë paradës festive (pamjet)

28 Maj 2022
12:45
Alfred Lleshi
back button

Roma u kurorëzua fituese inauguruese e “Conference League” në Tiranë, falë suksesit të së mërkurës në mbrëmje 1-0 ndaj Feyenoord. Nicolo Zaniolo shënoi golin e vetëm të lojës për të vulosur trofeun e parë evropian të verdhekuqve dhe të pestin në karrierën e Mourinhos.

59-vjeçari ishte dukshëm emocional pas ndeshjes, në konferencën për shtyp nga “Arena Kombëtare”, ku nuk i mbajti dot lotët, por pastaj u shfaq dukshëm i shfrenuar në paradën e festës në kryeqytetin italian.

Para se të parakalonte trofeun rreth Romës të enjten, Mourinhos iu dha shansi të merrte timonin e autobusit të ekipit. Mourinho po udhëtonte me gëzim ndërsa lojtarët këndonin në kor emrin e tij nga sedilja e pasme, derisa ai ndaloi papritur.

Një motoçikletë policie u shfaq përpara trajnerit dhe e detyroi “Special One” të përplaste frenat, përpara se të shpërthehej në të qeshura. Një nga trajnerët e ekipit të parë të Romës shihet me fytyrën më të hutuar që keni parë ndonjëherë, i trembur se mos i përplaste.

Fansat online kanë reaguar ndaj videos dhe janë shkrirë së qeshuri. Dikush shkroi në Twitter: “Kjo është vërtet shumë qesharake, ai pothuajse e përplasi autobusin”. Një tjetër koment pikant: “Nuk ka njeri më të mirë për të parkuar një autobus. Si nuk e doni këtë njeri?”

Ndërsa një i tretë shkroi: “Për disa arsye nuk mund të ndaloj së shikuari këtë video. Jose po jeton momentin e tij më të mirë”. Duhet thënë se Mourinho lidhet shumë me autobusin, si nocion taktik futbollistik.

Shumë e kritikojnë ato me fjalët se “parkon autobusin”, duke iu referuar metaforikisht përqendrimit të skuadrave të tij në mbrojtje, me forca të shumta. Jo rrallë herë me këtë qasje taktike, portugezi ka fituar finale të mëdha. Edhe në Tiranë, pas golit të Zaniolo, ia doli ta mbrojë avantazhin përkundrejt lojës tejet ofensive dhe me raste të Feynoord-it.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit