Mohon çështjen “Trashi”, Olsi Rama: “Ka vetëm një ndeshje!”

10 Korrik 2019
20:42
back button

Në përfundim të ndeshjes së parë ndaj Qarabag, e mbyllur në barazim 0-0, nuk mund të mungonte analiza e atij që bashkë me presidentin Demi,  konsiderohet si projektuesi i rikthimit në sukses të Partizanit: Olsi Rama.

“Në letër, Qarabag është ekip më i fortë se ne, me një vlerë 3 herë më të shtrenjtë. Por në fushë, luhet me zemër, me karakter. Jam shumë i kënaqur që futbollistët e Partizanit na bënë dhe njëherë tjetër krenarë”, u shpreh drejtori i Partizanit. 

“Ata kanë një avantazh ndaj nesh, pasi kanë vite që luajnë me njëri-tjetrin. Në favorin e tyre ishte administrimi i topit, ndërsa goditjet dhe rastet ishin tonat”, vijoi Rama. 

“Unë mundohem t’i shikoj gjërat me qetësi, më pëlqeu mënyra si ekipi u paraqit në fushë dhe zbatuan detyrat e trajnerit. Goli pastaj do të ishte qershia mbi tortë, por ndeshja është e hapur dhe ka edhe 90 minuta të tjera”, deklaroi drejtuesi i të kuqve.

“Përpara se të bënim këtë ndeshje, trajneri ngulte këmbë dhe thoshte ka vetëm një ndeshje, vetëm një ndeshje. Tani vërtetë kemi vetëm një ndeshje. Do të kemi një javë më shumë stërvitje, Braun dhe Broja do të njihen me ekipin. Salomon ende nuk është në 100%, një javë na ndihmon shumë”, tregoi Rama. 

“Do të jemi më të gatshëm për të surprizuar atje. Ne duhet të shkojmë atje për të bërë ndeshjen tonë, për të përfaqësuar ashtu siç duhet ngjyrat e Partizanit. Ndonjëherë, duhet edhe fati”, paralajmëroi drejtuesi i Partizanit.

“Trashi? Ai është një lojtar që unë e dua shumë, gjithmonë ka sjellë cilësi te Partizani. Nuk ka çështje “Trashi”, këtu luan ai që i përshtatet më shumë trajnerit. Lerda preferoi Hakajn, që është më i mirë në fazën mbrojtëse. Po ta shikonit, Trashi përqafoi trajnerin në fund të ndeshjes, kështu që nuk ka asnjë çështje”, konfirmoi Olsi Rama. 

“Nëse Trashi do të shkojë diku tjetër për të vazhduar karrierën e tij, do të largohet me kushtet e duhura, pasi Partizani duhet të përfitojë nga transferimi i tij. Ne shpresojmë që Trashi të jetë transferta e parë e suksesshme e drejtimit tim te Partizani”, deklaroi ndër të tjera drejtori Rama.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit