Momente tmerri në ndeshjen e Rrogozhinës. Dwamena humbet ndjenjat në fushë, rast si i Eriksen (video)

11 Nëntor 2023
14:14
Alfred Lleshi
back button

Momente tmerri në stadiumin e Rrogozhinës, që na kujton incidentin e rëndë të Erisken në finalet e “Euro 2020”, kur humbi ndjenjat në fushë, gjatë lojës. E njëjta gjë ka ndodhur me sulmuesin e Egnatias, Tafael Dwamena, i cili ka humbur ndjenjat në minutën e 25-të të ndeshjes ndaj Partizanit.

Nuk ka pasur asnjë përplasje të tij me ndonjë kundërshtar, por teksa po rrinte në këmbë, është parë të lëkundej e rrëzohej në tapetin e blertë pa ndjenja. Alarm i madh për të gjithë, sidomos futbollistët e të dyja skuadrave, që kanë bërë rrethin rreth tij, me stafet mjekësore të dy skuadrave që kanë ndërhyrë me shpejtësi të plotë.

Po kështu, në fushë ka hyrë edhe ambulanca, e cila e ka transportuar sulmuesin afrikan me shpejtësi drejt spitalit. Situata mbetet tejet e nderë, në pritje të lajmeve që do të vijnë nga spitali për gjendjen kritike shëndetësore të kapitenit të Egnatias, i cili thuhet se ka pasur edhe më parë probleme me zemrën.

Në fakt, mënyra si u rrëzua në fushë të bën të mendosh për një arrest kardiak, njësoj sikurse i ndodhi edhe Cristian Eriksen gjatë ndeshjes me Danimarkën, në finalet e “Euro 2022”. Kujtojmë se ndeshja deri në këtë moment ishte tepër e luftuar, spektakolare, me dy gola të shënuar, nga një në secilën portë. Ndeshja është ndërprerë, nuk do të vazhdojë më tej, sepse lojtarët janë të traumatizuar.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit