Morata e ka vendosur të ardhmen, pranon vetëm njërën nga këto dy pista

29 Qershor 2022
11:49
Alfred Lleshi
back button

Që prej 16 qershorit të kaluar, Alvaro Morata është rikthyer në të gjitha aspektet lojtar i Atletico Madridit, pasi Juventusi nuk e ka ushtruar në kohë të drejtën e blerjes në bazë të marrëveshjeve të bëra me “Colchoneros”.

Pyetja tjetër është se sa do të qëndrojë qendërsulmuesi i kombëtares spanjolle nën urdhrat e Diego Simeone. Në kampin bardhezi, vëmendja i kushtohet mbylljes së marrëveshjeve me Di Maria dhe Pogba. Mundësia që negociatat me Atletico Madridin të rihapen në përpjekje për të rikthyer Morata në Torino mbi bazën e një zbritjeje çmimi në krahasim me 35 milionët e kërkuara nga klubi madrilen po zbehet dita-ditës.

Në të vërtetë, sipas asaj që raportohet në Spanjë, Morata duket i destinuar të mbetet në radhët e Atletico-s. Për këtë është i bindur gazetari Antonio Ruiz, që ka pasur kontakte me njerëz afër sulmuesit iberik.

Në sezonin 2022-2023, atë që do ta çojë në Botërorin e Katarit, Alvaro do të provojë të fitojë sërish besimin e Simeones, pasi viti i parë me “Colchoneros” nuk ishte i lumtur.

Sipas kontratës me Atletico Madridin deri në vitin 2024, Morata është kandidat për trashëgimtar të Luis Suarez, i cili do të largohet nga skuadra madrilene si transferim i lirë, në fund të kontratës 2-vjeçare, pasi ka kontribuar ndjeshëm në fitimin e La Liga-s më 2021.

Morata pret fëmijën e katërt nga gruaja e tij Alice Campello, ndaj duket i gatshëm të marrë në konsideratë vetëm dy hipoteza: një rikthim të ri te Juventusi ose qëndrimin në Madrid, duke përjashtuar kështu një tjetër eksperiencë në Premier League, pas asaj jo emocionuese me Chelsea (2017-2019).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit