Moratta shkund Interin, i kujton shifrat në transfertë: Kampionat anormal dhe i paprecedentë…

15 Nëntor 2022
9:00
Alfred Lleshi
back button

“Krahasuar me dje, asgjë nuk ka ndryshuar, ka ndërgjegjësim për të qenë protagonistë deri në fund në një kampionat anormal dhe të paprecedentë, që do të rinisë më 4 janar”. Është kjo analiza e Giuseppe Marotta në mikrofonat e “Radio Anch’io Sport”:

“Është diçka e re dhe të gjithë jemi kuriozë ta kuptojmë veçanërisht për sa i përket sferës së performancës, mes lojtarëve që shkojnë në Kupën e Botës dhe të tjerëve që qëndrojnë në shtëpi. Për trajnerët atletikë do të jetë e vështirë, e paprecedentë, do të jetë e nevojshme për të kuptuar lojtar për lojtar çdo mangësi që do të demonstrohet në këtë hark kohor”.

Marotta analizoi këtë pjesë të parë të kampionatit zikaltër: “Kemi pasur një handikap misterioz, të heshtur, origjinën e të cilit nuk e kuptoja. Më pas ekipi dhe trajneri gjetën masat korrigjuese. Kemi vuajtur katër disfatat jashtë fushe, por në fakt janë 18 golat e pësuar, të cilët janë shumë në krahasim me 22 në total. Ky është elementi që duhet të na bëjë të reflektojmë dhe trajneri do të duhet të gjejë masa korrigjuese. Këto janë detyrat tona”.

Për sfidën që e pret Interin në rikthimin e kampionatit, më 4 janar, ndaj Napolit, drejtori zikaltër shtoi: “Kemi luajtur 7 ndeshje në shtëpi dhe 8 jashtë, kemi 4 pikë më pak se vitin e kaluar, kur Napoli ishte në krye me 36 pikë, 5 pikë më pak se tani. Mbeten ende 23 ndeshje për t’u luajtur dhe 69 pikë për t’u fituar. Nuk mendoj se ndeshja kundër Napolit në 4 janar është vendimtare. Më e rëndësishme është të kuptojmë se në çfarë kushtesh fizike do ta gjejmë veten”.

Lidhur me rinovimin e Dzeko, drejtori zikaltër nuk ka dyshime: “Ai e meriton rinovimin, është një profesionist i madh, i lidhur me fanellën dhe si shumë ‘pleq’ përreth ka vesin e shënimit. Në momentin e duhur do të nisim kontaktet. Dëshira jonë është për të rinovuar, pastaj vullneti i lojtarit ka rëndësi”.

Për momentin, nuk ka njoftime për “hitet” e merkatos së janarit: “Mundësitë duhen shfrytëzuar, por, kur bëhet fjalë për klubet e mëdha, nuk mendoj se ka mundësi që janë të përshtatshme. Duhet të jemi ende me sytë hapur, megjithatë mendoj se ky është një grup konkurrues për qëllimet tona”.

Në prag të Këshillit Federal të FIGC-së për çështjen D’Onofrio, kryeprokurori i Shoqatës së Arbitrave, i arrestuar për drogë, Marotta tha: “Është një faqe shumë e trishtueshme, një nga më të shëmtuarat në futbollin italian. Jam i sigurt se Gravina do ta zgjidhë në mënyrën më të mirë”.

Disa fjalë për Zhang dhe Lukaku: “Familja Zhang meriton respekt, sepse vitet e fundit ka investuar kaq shumë energji financiare. Po flasim për rreth 800 milionë euro investime. Ajo i ka dhënë shumë sistemit të futbollit italian dhe mbi të gjitha Interit. Nga pandemia, të gjitha grupet e mëdha industriale kanë pasur tkurrje financiare. Pas pandemisë nuk mund të shfaqen më investime milionere, zvogëlimi i kostove dhe investimeve si pasojë është normal. Duhet të mbetemi konkurrues në një botë shumë të komplikuar.

Dëmtimi i Lukakut ishte i papritur dhe i paparashikueshëm, i kushtëzuar nga dëshira për t’u rikthyer shpejt, edhe me motivimin nga Kupa e Botës. Duhet të jemi të kujdesshëm. Këto situata janë pjesë e rrezikut të biznesit. Në një listë të ngushtë prej 25 lojtarësh, dëmtimet janë në rendin e ditës. Unë jam i mendimit se nuk duhet të ketë një stres konkurrues si ai i këtij sezoni. Shpresoj që të rikthehet qysh në datën 4 janar”.

Drejtori ekzekutiv i Interit, duke komentuar shpërthimin e Cristiano Ronaldos kundër trajnerit të Manchester United, mohoi se blerja e CR7 nga Juve ishte në origjinën e lamtumirës së tij me klubin bardhezi: “Në një strukturë drejtuese të një klubi është normale që ka pozicione të ndryshme, por kjo nuk do të thotë se unë kam qenë kundër operacionit të CR7. Ai është një një ikonë dhe kampion i madh. Kjo nuk ishte arsyeja e divorcit tim nga Juventusi”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit