“Mos e prekni kapitenin!”, tifozët e Atletico Madridit në protestë

13 Janar 2019
16:46
back button

Verën e ardhshme Atletico Madrid pritet të ndahet nga kapiteni i vet Diego Godin, një histori që pritet të përfundojë pas 8 vitesh të mrekullueshme së bashku.

Qendërmbrojtësi, i cili do të mbushë 33 vjeç në shkurt, ka një paramarrëveshje me Interin, duke rënë dakord për një kontratë 2-vjeçare, me mundësi rinovimi për një vit të tretë.

Lajmi, që qarkullon prej ditësh, ka zemëruar një pjesë të tifozerisë së Atletico Madrid, që akuzon klubin se nuk po bën asnjë tentativë për të mbajtur një nga legjendat e klubit.

Para ndeshjes së sotme kundër Levantes një grup tifozësh ishin organizuar para stadiumit Wanda Metropolitano, me parulla dhe kore pro Godin, duke kërkuar rinovimin për uruguaianin.

"Klubi nuk mund të largojë një pikë referimi. Do ishte mirë që yjet e ekipit të paguhen më pak dhe milionat të shpërndahen në mënyrë më të drejtë, sepse Godin apo Oblak meritojnë respekt dhe pagë të rëndësishme", u shpreh një nga tifozët pjesëmarrës në protestë, duke folur për agjencinë e lajmeve EFE.

Atletico e ka kthyer në zakon që lojtarëve mbi 30 vjeç u ofron kontrata në funksion të ndeshjeve të luajtura, si dhe vetëm kontrata 1-vjeçare, diçka që ka çuar te divorci me Godin, i cili do pagë fikse dhe kontratë 2-vjeçare, diçka që ia ofron Interi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit