MotoGP: Quartararo triumfon në Portugali dhe merr kreun e renditjes

18 Prill 2021
14:44
Gentian Spiri

Piloti francez i Yamaha, Fabio Quartararo, fitoi garën e Çmimit të Madh të Portugalisë në MotoGP, garë e zhvilluar në pistën e Portimao. Suksesi i dytë sezonal për Quartararo, që e nisi garën nga “pole” dhe e mbylli atë në krye, duke treguar superioritet në pistë.

Falë këtij suksesi, piloti francez merr kreun e renditjes së botës, ndërkohë që të trija garat e zhvilluara deri më tani në MotoGP i kanë fituar pilotët e Yamaha, fakt që tregon se motori japonez është në formë të mirë.

Në vendin e dytë u rendit italiani Francesco Bagnaia me Ducati, që e nisi garën nga vendi i 11-të, duke bërë një garë të mirë dhe përfituar nga rrëzimet e rivalëve, si Johann Zarco dhe Alex Rins, që e mbyllën garën para kohe.

Në podium u ngjit edhe spanjolli Joan Mir me Suzuki, që bëri një garë konstante. Në debutimin e tij sezonal me Honda, spanjolli Marc Marquez u klasifikua në vendin e shtatë. Tjetër garë për t’u harruar ajo e Valentino Rossi me Yamaha Petronas, që u rrëzua në mesin e garës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit