Mourinho, helm ndaj United: Duhet shtëpia, pastaj mobilimi!

14 Dhjetor 2018
16:29
back button

Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, dha një përgjigje mjaft të çuditshme, kur u pyet në lidhje me transferimet e Liverpool-it krahasuar me ato të United.

Dy skuadrat do përballen të dielën dhe Liverpool është në krye, pa humbje prej 16 ndeshjesh, ndërsa kjo ecuri fantastike bazohet edhe te një merkato e shkëlqyer, me shpenzime të rëndësishme.

Mourinho është ngacmuar në lidhje me këtë temë dhe sipas tij paraqitjet e Liverpool-it nuk varen vetëm nga shpenzimet.

Në stilin e vet unik, Mourinho ka shpjeguar pse Klopp ka sukses, në një kohë që ka goditur me fjalët e tij pikërisht United: "Nuk është çështja te paratë që shpenzon në verë, janë shumë gjëra të përfshira. Nuk bëhet fjalë thjesht të shpenzosh para dhe të përforcosh skuadrën, një skuadër futbolli është shumë më tepër se kaq, nuk është thjesht merkato.

"Është si një shtëpi, nuk mjafton të blesh pajisjet e ta mobilosh, duhet shumë punë për të ndërtuar shtëpinë, duhen para për mobilimin më të mirë të mundshëm dhe më pas je gati për të jetuar në një shtëpi të mrekullueshme".

Prej fillimit të vitit 2018 Liverpool ka thyer rekordin e portierit më të shtrenjtë, me Alisson, dhe të mbrojtësit më të shtrenjtë, me Virgil van Dijk, ndërsa Red Devils ka shpenzuar pa fund për Paul Pogba në 2016 dhe më pas, në janar 2018 e bënë Alexis Sanchez lojtarin më të paguar në Premier League.

Megjithatë, Mourinho beson ende se skuadra e tij është shumë larg nivelit për të garuar për kreun e tabelës, duke fajësuar për këtë pasivitetin e klubit në merkato.

"Shumë larg", tha Mourinho, kur u pyet sa larg ishte skuadra e tij nga ajo që do ishte idealja për të.

Arsyet? "Sapo ua thashë. Nuk bëhet fjalë thjesht të shpenzosh".

Gjithsesi, si zakonisht, Mourinho nuk ka humbur rastin për të thumbuar edhe kundërshtarët dhe e ka vendosur theksin te fakti që Liverpool-i nuk fiton trofe prej shumë vitesh, edhe pse e ka nisur edhe sezonin aktual me synim madhor titullin.

"Mendoj se trofetë kanë rëndësi, po. Kur ke potencialin për të luftuar për trofe dhe kur thua që objektivi është të fitosh trofe, në fund vetëm trofetë vlejnë, asgjë tjetër. Ndonjëherë nuk është shumë inteligjente thjesht të thuash që do luftosh për trofe, por kur e ke potencialin nuk ka arsye për t'u fshehur dhe Liverpool e ka thënë që synimi është titulli".

Telesport është krenar që bashkëpunon me Krowd9, një aplikacion fantastik i futbollit për shqiptarët! Shkarkojeni > bit.ly/krowd9 për video me përmbledhje ndeshjesh, njoftime të menjëhershme për golat dhe të gjitha lajmet e Telesport! Krowd9 është i përdorshëm në shqip, italisht dhe anglisht.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit