Mourinho: Ja çfarë duhet të bëjë Neymar për të arritur nivelin e Pele

16 Shkurt 2019
8:56
Alfred Lleshi
back button

Neymar do të duhet të arrijë majën e suksesit me Brazilin, para se të krahasohet me Pele dhe legjenda të tjera të “Selecao”. Kështu mendon Jose Mourinho.

Sulmuesi synon të jetë një nga futbollistët më të mirë në botë, duke dominuar Ligue 1 me PSG. Ai ka arritur suksese statistikore dhe ekipore, sa ishte pjesë e Barcelonës.

Para këtyre dy “stacioneve” në Europë, Neymar kishte spikatur me lojën e tij te Santos, në Brazilin e tij të lindjes, diçka që ai e ndan me Pele.

Megjithatë, ylli brazilian në skenën ndërkombëtare (me “Selecao”) nuk e ka arritur suksesin në rang klubi. Ndonëse ka marrë medaljen e artë olimpike dhe ka triumfuar në Kupën e Konfederatave, triumfi në “Copa America” dhe në Kupën e Botës i ka munguar. 

Neymar dhe kombëtarja e tij u turpëruan me një humbje 7-1 ndaj Gjermanisë, në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2014, pavarësisht se ishin vendi pritës.

Neymar mungonte në atë humbje të thellë, për shkak të një dëmtimi, por ishte i pranishëm në vitin 2018, kur Belgjika e eliminoi Brazilin nga Kupa e Botës në Rusi me rezultatin 2-1. 

Gjithsesi, “Placar”, një revistë braziliane e futbollit, kohët e fundit e quajti Neymar si lojtarin më të madh të vendit, që nga Pele, duke marrë kritika, pasi injoroi të mëdhenjtë e tjerë të “Selecao” si Ronaldo, Rivaldo, Zico dhe Ronaldinho.

I pyetur nga DAZN rreth këtyre polemikave, Mourinho pranoi se Neymar është një nga talentet më të mira në botë, me arritje mbresëlënëse në ndeshjet për klube, por mungesa e arritjeve me kombëtaren e bën atë ende të pakrahasueshëm me të mëdhenjtë e Brazilit: 

"Neymar është një talent fantastik dhe askush nuk mund të dyshojë mbi këtë. Ai erdhi në Europë dhe fitoi menjëherë. Sidoqoftë, nuk mund të injorohen e harrohen lojtarët që ishin më të mirët në botë, në një pikë të karrierës, si Ronaldo dhe Rivaldo. 

Unë po citoj këta të dy, por mund të kujtoja më shumë. Ata, gjithashtu, luajtën në Europë dhe ishin fantastikë. Përtej kësaj, ata përjetuan arritje të veçanta me kombëtaren në nivel ndërkombëtar. Neymar do të vazhdojë të luftojë për të qenë në elitën europiane, ku tashmë është, dhe të fitojë me Brazilin, një ëndërr për të".

Ylli i Brazilit do të ketë një shans tjetër këtë verë për të fituar në një turne të madh, kur Brazili pret “Copa America 2019”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit