Mourinho: Juventus mund ta fitojë Champions-in, por…

20 Shkurt 2019
16:59
Denis Hakanaj
back button

"Ka cilësi dhe eksperiencë: Juventus mund ta fitojë Champions League. Megjithatë, nuk do të ishte një surprizë nëse do të eliminohej në këtë fazë". Mes tij dhe Juventus-it nuk ka patur asnjëherë një marrëdhënie të mirë, por Jose Mourinho ka thënë për "Teleradiostereo" se beson tek bardhezinjtë në Champions. 

"Besoj se mund t'ia dalin, kanë edhe një lojtar vendimtar si Ronaldo dhe shumë dëshirë për të fituar, por nuk do të ishte një surprizë nëse do të eliminoheshin tani, sepse do të kenë përballë një ekip shumë ambicioz", ka thënë portugezi. 

"Atletico Madrid ka bërë një investim të rëndësishëm për të luajtur finalen në stadiumin e vet. Edhe pse nuk më duket se po luajnë shumë mirë, të gjithë e dimë se çfarë mendimi ka Simeone. Ka sulmues të mirë që mund të bëjnë diferencën dhe për këtë arsye besoj se Juventus mund ta fitojë Champions-in, por edhe se mund të eliminohet". 

Nga Juventus te Roma, Mourinho, i cili e njeh shumë mirë Porto-n, ka folur edhe për sfidën që pret verdhekuqtë në ndeshjen e kthimit: "Goli i Porto-s ka qenë shumë i rëndësishëm. Mund të përfitojnë nga eksperienca e Conceicao në Itali. Është një skuadër taktike, e mbyllur dhe e vështirë për t'u mundur. Rezultati i takimit të parë ka lënë çdo gjë të hapur". 

"Porto është shumë e fortë në shtëpi, stadiumi është i bukur dhe atmosfera është e zjarrtë. Roma nuk më duket shumë solide në mbrojtje, nuk besoj se mund të barazojë 0-0. Shikoj një ndeshje të ekuilibruar, por jo një barazim 0-0".     

Nga Champions League te Seria A, Mou nuk duket shumë i tërhequr nga kampionati aktual: "Besoj se situata nuk është e lehtë, sepse nuk ekziston më ambicia për ta fituar titullin ose për të qenë të paktën më afër Juventus-it. Gjithsesi, besoj se pas pak vitesh do të kemi një Roma, Inter dhe Milan në nivele të larta dhe kampionati do të jetë më i bukur". 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit