Mourinho “shenjtëron” finalen e Tiranës: Sa bukur për shqiptarët, nëse Kumbulla e ngre trofeun atje

18 Maj 2022
15:08
Alfred Lleshi
back button

Torino dhe Tirana, dy ndeshje (transferta) jashtë fushe, dy finale për t’u fituar. Roma vazhdon punën dy ditë para ndeshjes së fundit të Serie A kundër “granata” dhe një javë para finales së Konferencës së Ligës kundër Feyenoord. Mëngjesin e sotëm, trajneri José Mourinho foli në mikrofonat e “Sky” dhe në konferencën për shtyp, Ditën e Medias, të organizuar nga UEFA.

Mourinho e nisi nga finalja e Tiranës e 25 majit: “Kam luajtur disa finale europiane. Përjetimi është gjithmonë njësoj, nuk ndryshon. Historia dhe prestigji i garave është i ndryshëm. Kjo është më e rëndësishmja nga të gjitha finalet, sepse duhet të luhet ende. Duhet të shkojmë në Tiranë dhe të fitojmë”.

Disa fjalë edhe për rritjen e Romës së tij: “Finalja do të jetë përmbyllja e një viti të gjatë e të lodhshëm. Ne e nisëm në gusht dhe udhëtuam shumë. Kemi luajtur ndeshje të vështira larg. Më pas, në eliminimet direkte jemi kualifikuar edhe në minutën e 90-të.

Paguam pasojat në Serie A, sepse luajtëm të enjten dhe pastaj të dielën pothuajse gjithmonë me skuadra që përgatiteshin për një javë. Kjo do të thotë humbje pikësh. Kur shikoj renditjen mendoj edhe për gabimet e arbitrave. Ky kampionat ka qenë i ashpër në këtë drejtim për ne. Nëse në fund fitoni finalen dhe merrni kupën, duke shkruar historinë, atëherë jeni në rregull”.

Nëse mendon për të kaluarën, a do ta kishte imagjinuar një epilog të tillë? Mourinho përgjigjet: “Si skuadër e Konferencës së Ligës, e dinim që Trabzonspor do të ishte i vështirë, por gjithashtu do të duhej të prisnim që skuadrat nga ‘Europa League’ ta rrisnin nivelin. Gjysmëfinalja me Leicester është një shembull. Ishte e vështirë, por ne nuk u dorëzuam. Kemi luajtur me seriozitet dhe ambicie deri në fund. Pas pasojave negative të ndeshjeve të së enjtes, duhet të bësh gjithçka për të fituar”.

Feyenoord po i zhvillon përgatitjet para finales së Tiranës në Portugali. “Special One” përgjigjet nëse ekipi holandez ka përparësi që e ka mbaruar kampionatin kombëtar dhe ka pushuar: “Sigurisht, është një avantazh i madh. Ne duhet të luajmë një ndeshje të rëndësishme kundër Torinos dhe është e vështirë për lojtarët të pushojnë.

Ata e përfunduan kampionatin para se të ishin në finalen e Tiranës, po punojnë me qetësi. Sidoqoftë, unë them gjithmonë se në finale duhet t’i harrojmë këto detaje. Po flasim për një ndeshje të vetme, ku duhet të fitosh. Sot e thashë këtë, por të mërkurën do t’jua përsëris djemve”.

A dëshiron të bëhet “Fergusoni” i Romës? Portugezi nënvizon: “Do të jetë e vështirë të qëndrojh këtu për 20 vite, siç bëri Ferguson. Kam nënshkruar për tri vite, sepse projekti është 3-vjeçar. Pas këtyre viteve, të shohim se çfarë projekti do të jetë. Unë dua të qëndroj këtu për dy vitet e ardhshme, me siguri. Është e vështirë për mua të bëj një bilanc për momentin, nuk dua të përgjigjem”.

Roma ka një pjesë shqiptare, Marash Kumbullën, ndaj do ta ndiej veten sin ë shtëpi gjatë finales së 25 majit. Mourinho e di mirë këtë gjë: “Me ose pa Kumbullën, shqiptarët duhet të jenë në anën tonë. Nëse Roma fiton trofeun, një shqiptar e fiton atë. Kjo duhet të mjaftojë për t’i afruar shqiptarët me Romën.

Jam i emocionuar që finalja është në Tiranë, nuk kam luajtur kurrë atje. Kam disa miq të rëndësishëm në Tiranë. Fakti që stadiumi ka kapacitet të limituar për dy klube si Roma dhe Feyenoord është e vetmja gjë negative. Nëse do të luanim në ‘Bernabeu’ do të ishte plot. Për Shqipërinë është e rëndësishme. Do të jetë bukur për shqiptarët, edhe më bukur nëse Kumbulla e ngre trofeun në Tiranë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit