Mourinho-Wenger show: Harry Kane inekzistent, Liverpool si Reali, Premier League në majën e botës!

2 Qershor 2019
10:49
back button

Finalja e Champions League mes Totttenham e Liverpool kishte dy komentatorë të jashtëzakonshëm në Bein Sports, sepse rrjeti i fuqishëm televiziv bashkoi në një studio Jose Mourinho e Arsene Wenger, dy ndër trajnerët më të mëdhenj në qarkullim, rivalë të egër në Premier League.

Para dhe pas ndeshjes, një analizë perfekte e supërsfidës së Champions League, mes dy legjendash që si rrallë më parë nuk patën debat mes tyre dhe në disa raste ishin plotësisht dakord.

Wenger përmblodhi pjesën e parë të ndeshjes dhe tha se Tottenhami ishte mjaft dobët në 45 minutat e para, duke u kthyer nga Mourinho, i cili miratoi.

"Liverpool kryeson me meritë, mbrohet, shkon në kundërsulm dhe e bën me shumë zgjuarsi. Më duket se herët a vonë do shënojnë golin e dytë. Tottenham nuk duket i rrezikshëm. Folëm për Harry Kane, nuk duket gati dhe në sulm vetëm Son duket kërcënues", tha Wenger në pushimin e ndeshjes.

Mourinho ishte në një linjë: "Realiteti është që Tottenham pati 61% të zotërimit të topit, por nuk e goditi asnjëherë portën dhe bëri shumë gabime në pasim. Harry Kane ishte i fshehur, nuk u bë asnjëherë pikë referimi në sulm.

"Liverpool nuk luajti ndonjë ndeshje fenomenale, por e kontrolloi ndeshjen. Dy anësorët e mbrojtjes po punojnë shumë mirë, topat e gjatë të Van Dijk gjejnë gjithnjë një nga sulmuesit".

Pas ndeshjes Mourinho pati elozhe të mëdha për Liverpool dhe Klopp: "Skuadër e shkëlqyer, trajner i shkëlqyer, klub fantastik dhe tifozë të mrekullueshëm. Nëse Reali fitoi 3 Champions rresht, nuk shoh ndonjë arsye pse ky Liverpool të mos e bëjë këtë gjë. Juventus, PSG, Bayern, Manchester City, Barcelona, Real Madrid, Atletico Madrid, Liverpool, Chelsea paksa e vështirë, por janë 7-8 klube që do duan ta fitojnë Champions League. Interi gjithashtu, ka ambicie dhe trajner të ri, por i duhet kohë, ndoshta pas një viti".

"Liverpool është qyteti i muzikës, klasës punëtore dhe futbollit, të gjitha u bënë bashkë sonte. Për çdo trajner që ka punuar në Angli, Liverpool është një vend i veçantë dhe aty mund të ndodhin gjithnjë mrekulli. Tani duhet të përmirësojnë ekipin, por pa shkatërruar pikat e forta. Ata duhet të bëjnë shumë kujdes tani, sepse kur mundohesh të përforcosh një pikë të dobët, mund të shkatërrosh diçka që ka qenë pika jote e fortë", tha Wenger.

Mourinho foli edhe për Premier League: "Së pari, mendoj se vendet 5-6 në Premier League janë tepër të mira për Europa League. Para dy vitesh ishim në finale me United, vjet Arsenali në gjysmëfinale, sivjet 2 angleze në finale, vitin e ardhshëm ndoshta United-Arsenal do shkojnë në finale, sepse Premier është kampionati më i fortë, me një grup ekipesh që mund të luajnë Champions League çdo vit, 6 ekipe. Nëse kalon në Europa League, bëhesh automatikisht favorite e madhe, ndaj nuk u habita nga finalja Arsenal-Chelsea. Rezultati ishte gënjeshtar, sepse Arsenal e nisi mirë dhe luajti mirë, por Chelsea në pjesën e dytë me disa nga lojtarët e vet cilësorë ndryshoi ndeshjen".

Në fund, e ardhmja e secilit trajner mbeti në mister: "Nuk jemi këtu për të ardhmen time, por për këtë finale", tha Mourinho, ndërsa Wenger lëshoi një batutë: "Doni ta mbyllni mbrëmjen me ndonjë lajm të fortë? Më vjen keq, por nuk mund t'u japim ndonjë lajm të tillë".

Mourinho vijoi me humor: "Nëse ne kthehemi në futboll, nuk do na keni në studio. Ndajeni mendjen, nëse doni që të dalim më shpesh këtu, mos na kërkoni të kthehemi në stol".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit