Mrekullia Piast, dështimi Legia dhe fantazmat që rrethojnë titullin në Poloni

17 Maj 2019
21:11
back button

Ndryshe nga shumica e kampionateve nëpër Europë, në Poloni kampioni i ri nuk dihet ende dhe ashtu si në Premier League, gjithçka do të vendoset në javën e fundit.

Për të 32-tën herë në historinë e futbollit polak kampioni do të dalë nga 90 minutat e fundit dhe këtë vit mund të shkruhet një faqe historie, sepse në krye është një emër që pakkush e njeh, Piast Gliwice, skuadër që para një viti i shpëtoi rënies nga kategoria vetëm për 1 pikë më shumë se Nieciecza, rival të cilin e mundi 4-0 në javën e fundit.

Një vit më vonë Piast Gliwice është pranë ëndrrës, sepse nuk e ka fituar kurrë kampionatin polak dhe tashmë i duhet një fitore në shtëpi kundër Lech Poznan, rival që nuk ka më asnjë synim në kampionat dhe në vizitën e fundit në Gliwice, në shkurt të këtij viti, u mund 4-0. Në vitin 2019 Piast ka humbur vetëm dy herë dhe galopi ka qenë impresionues, sepse vetëm para pak javësh ishte Lechia Gdansk në krye, më pas kaloi Legia dhe në javët e fundit ka ardhur parakalimi i pabesueshëm nga Piast, që ka fituar 6 nga 7 ndeshjet e fundit.

Piast ka përfituar edhe nga kriza e Legias, që ka fituar vetëm një nga 5 ndeshjet e fundit dhe në 4 maj u mund nga Piast në Varshavë. Sulmi më i mirë, mbrojtja më e mirë, një miks perfekt lojtarësh nga Polonia, Spanja, Sllovenia e deri në Angli, sepse te Piast luan Tom Hateley, një mesfushor që ndoshta nuk njihet nga shumë njerëz, por është biri i ish-sulmuesit së Milanit Mark Hateley dhe këtë vit ka qenë perfekt, duke pasur një meritë të madhe te ecuria e shkëlqyer e klubit të vogël me stadium 9900 vende.

Natyrisht, nuk ka mbaruar, sepse në Polonia ka pasur surpriza pa fund këtë sezon, edhe për faktin se ekipet janë pak a shumë në një nivel, pa yje e me buxhete modeste. Gjithsesi, rrallë ka ndodhur që ekipi kryesues ta humbasë titullin në javën e fundit: vetëm 3 herë në histori dhe gjithnjë ka pasur ngjarje të çmendura nga pas, si ajo më e çmendura, në sezonin 1992/1993.

"E DIELA E MREKULLIVE"

Ishte sezoni 1992/1993 dhe java e fundit e atij kampionati mori emrin "E diela e mrekullive". Tre skuadra luftonin për titull: Legia, Lodz KS dhe Lech Poznań. Legia ishte në krye, me pikë të barabarta me LKS dhe me golaverazh +3, ndërsa Lech Poznan ishte i treti, me një pikë më pak se dy kryesuesit.

Në ndeshjen e fundit Legia vizitonte Wisla Krakow, ndërsa LKS përballej me Olimpia Poznań, skuadër e rënë nga kategoria. Pritej goleadë në të dy ndeshjet dhe ashtu ndodhi: Legia fitoi 6-0, LKS triumfoi 7-1. Me këto rezultate titulli i shkonte Legias, që kthehej te titulli pas 22 vitesh.

Megjithatë, rezultatet e dy rivaleve për titull ngjallën dyshime për korrupsion. Tifozët e Wislas u kërkuan lojtarëve të dilnin nga fusha pa mbaruar ndeshja, ndërsa akuzuan se Legia u kishte dhënë nëj shifër të majme për të lënë ndeshjen me rezultat të thellë. UEFA kërkoi shpjegime nga Federata Polake dhe një ditë pas "Të dielës së mrekullive" Legia, LKS, Olimpia dhe Wisla morën gjoba dhe bllokim merkatoje, por titulli i Legias nuk u prek.

Gjithsesi, në 10 korrik 1993 u zhvillua kongresi i federatës dhe presidenti Ryszard Kulesza përmendi fjalët legjendare "Gjithë Polonia e pa" që Legia kishte blerë ndeshjen. Edhe pse pa prova, u vendos që rezultatet e Legias dhe LKS-së të fshiheshin, ndërsa titulli i shkoi Lech Poznanit, që në ndeshjen e fundit kishte barazuar 3-3 me Widzew Lodz. Aq mjaftoi, sepse Lech Poznan kaloi në krye falë golaverazhit më të mirë: +41 Lech Poznan, +24 Legia dhe +21 ŁKS.

Legia në vitet 2004 dhe 2007 ka bërë kërkesë që titulli t'i kthehet, por Federata Polake ka refuzuar. Pavarësisht kësaj, Legia imiton Juventusin, sepse e quan veten 14-herë kampione, duke përfshirë edhe titullin 1993.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit