“Mund të kisha vdekur “, arbitri i skandalit: Zoti më tha ta bëja

1 Shkurt 2022
16:22
Denis Hakanaj
back button

Janny Sikazwe, arbitri që ka vërshëllyer 5 minuta para kohe fundin e ndeshjes mes Tunizisë dhe Malit në Kupën e Afrikës, duke bërë bujë në të gjithë botën, ka rrëfyer të vërtetën e tij, duke shpjeguar atë që ka ndodhur atë paradite në Limbe:

“Bënte shumë nxehtë atë ditë, lagështia ishte mbi 85% dhe që në momentin e nxehjes e kam kuptuar se do të ishte shumë e vështirë. Pija ujë për t’u freskuar, por ishte si të mos e kisha bërë. Në fund të pjesës së parë kemi pushuar dhe kemi pirë, por gjatë së dytës nuk ndieja asgjë, më flisnin dhe nuk kuptoja se çfarë thonin”, ka thënë Sikazwe.

“Një ditë më pas më kanë dërguar në spital. Unë thoja se isha mirë, por kanë këmbëngulur: më kanë bërë një elektrokardiogram për të parë si reagonte zemra ime ndaj sforcimit fizik dhe më kanë bërë edhe disa analiza gjaku. Rezultatet kanë qenë brenda normave”.

Një goditje në kokë nga dielli që mund të kishte qenë fatale. “Kam rrezikuar të kthehesha në Zambia në një arkivol. Njerëzit më kanë kritikuar shumë, por gjithçka ka ardhur nga i nxehti i madh. Më kanë pyetur se kush më tha ta mbyllja para kohe ndeshjen: unë mendoj se ka qenë Zoti”, ka thënë arbitri.

“Në harkun e pesë minutave mund të kisha përfunduar në koma. Nuk është e lehtë të shikosh gjithçka që është thënë për mua, por kjo është jeta. Ka qenë një situatë që nuk e kisha jetuar kurrë. Kam mbetur i zhgënjyer, por jam i pari që jam mërzitur për atë që ka ndodhur. Dhe nuk dua ta rishikoj ndeshjen”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit