Mungesa e Telushit, Gega ka gati strategjinë e zëvendësimit

22 Mars 2019
11:28
Eraldo Harlicaj
back button

Dëmtimi i mesfushorit Bruno Telushi i ka hapur shumë punë Partizanit. Vlonjati mbante një peshë të madhe të ekipit në fushën e lojës, por ishte dhe një njeri motivues dhe në dhomat e zhveshjes. "Ushtari i kuq" ka probleme me mushkëritë, pasi i është gjetur ajër në to, dhe mjekët janë treguar të qartë se nuk do të lëvizë nga spitali pa u kuruar krejtësisht. 

Mungesa e tij nuk është e përcaktuar, pasi varet dhe nga forma që do të ketë lojtari në momentin që të kthehet, por kjo do t'i japë mundësi futbollistëve të tjerë të luajnë. Gega ka një mori alternativash dhe duhet t'i llogarisë në këtë moment emergjence. 

Hila do të jetë titullar pas rikthimit nga dëmtimi dhe në krah të tij, për të zëvendësuar Telushin janë në balotazh Kote dhe Dilaver Duka. Surpriza e fundit mund të jetë Kevin Mombilo. 25-vjeçari erdhi në janar, por ende nuk është grumbulluar nga kreu i stolit. Rezultatet i japin të drejtë. 

Një tjetër alternativë e pëlqyeshme mund të jetë dhe rikthimi i Esat Malës përkrah Hilës dhe aktivizimi i një lojtari me tipare ofensive përpara. Çinari, Hebaj apo Lucas janë gati për të pasur shanset e tyre. Mungesa e Telushit është shumë e rëndësishme, por Partizani ka alternativa për ta zëvendësuar atë. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit