Mziu-Qarri, drejtimi me dy koka i Kamzës dhe historiku i aksioneve të klubit

6 Mars 2019
16:00
Alfred Lleshi
back button

Kamza, si klub futbolli, është drejtuar me “dy koka”, prej vitesh. Fillimisht ishte në varësi të plotë të bashkisë, pastaj u ndanë aksionet mes pushtetit lokal dhe Naim Qarrit. Mes aksionarëve ka pasur herë pas here akuza për mospërmbushje të detyrimeve financiare, “muaj mjalti”, por edhe divorce të përkohshme. Në vitin 2012, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Kamzës, që u zhvillua më 2 korrik, u vendos rishikimi i parë i ndarjes së aksioneve të klubit të futbollit: 

“Bashkia e Kamzës do të ketë 51% të aksioneve të Kamza FK sh.a. Bashkia Kamzë do të marrë pjesë si aksionere në themelimin e shoqërisë ‘Kamza FK’ sh.a. me 51% të kapitalit dhe me ortakë të tjerë shoqërinë ‘Qarri 02’ sh.p.k., persona të tjerë juridikë, persona fizikë apo individë me 49% të kapitalit.

Ndryshe nga si ka qenë më parë, kur Bashkia e Kamzës ishte aksionere e “Kamza FK” sh.a. me 49%, tashmë raportet kanë ndryshuar, duke qenë bashkia ajo që ka pjesën më të madhe të aksioneve në këtë shoqëri”. 

Qarri tërhiqet: Nuk investoj më te Kamza
 Njëri prej aksionerëve të Kamzës, Naim Qarri, pas vendimit të Këshillit Bashkiak, që i linte 49% të aksioneve të klubit, duke e nxjerrë në minorancë, ka reaguar: “Nuk mund ta njoh kurrsesi këtë vendim, i cili më duket si në kohën e komunizmit, kur njerëzve iu merrej prona pa i pyetur. Personalisht mund të them se kam 51% të aksioneve dhe jo 49%. Aksionet e mia i kam nxjerr në shitje dhe ka pasur disa të interesuar. 

Sa të jenë drejtues të tillë në krye të klubit, nuk do të investoj më te kjo skuadër. Nuk mundet që një bashki me 160 mijë banorë të derdhë vetëm 30 milionë lekë të vjetër në vit për skuadrën. Kjo gjë është absurde dhe unë nuk kam ndërmend t’i harxhoj paratë, për aq kohë sa klubi drejtohet nga njerëz të tillë që duan të ndërtojnë një ekip me sa më pak harxhime. Do të rikthehem te Kamza, atëherë kur të jenë ndryshuar drejtuesit dhe të ketë një plan të qartë për të ndërtuar një klub model”.

Si u ndanë aksionet herën e fundit, me Qarrin president
Xhelal Mziu, kryebashkiaku i Kamzës, ka sqaruar së fundi sesi ndryshoi “peshorja” e aksioneve të klubit të futbollit në favor të presidentit Naim Qarri: “Për shkak të ultimatumit që vendosi FSHF, për kthimin e klubeve në sh.a, u detyruam të veprojmë në kushtet e emergjencës. Ishte një kusht penalizimi nga ana e federatës, u detyruam të krijonim Shoqërinë Aksionere të Kamzës. Në këto kushte, vendosëm që 51% të aksioneve t’i merrte “Qarri 02” dhe 49% t’i kalonin Bashkisë Kamzës”. 

Aksionet e “blera” pa asnjë lek – Xhelal Mizu zbulon edhe një detaj tjetër, që zbulon shkeljen e hapur të ligjit, edhe nga ai vetë, kur u bë shitja e 51 % të aksioneve: “Sqaroj se Qarri s’ka paguar asnjë qindarkë për këto 51% të aksioneve. Ky mund të jetë një rast unik në Shqipëri, që të falen 51% të aksioneve pa asnjë kontribut”. 

Xhelal Mziu për detyrimet financiare të bashkisë
 
“Dua të them se Bashkia Kamzë në sezonin e kaluar ka paguar 100% financat e futbollistëve. Edhe këtë sezon, krahas kontributit, po flasim vetëm për 49% që ne kemi përsipër në sh.a, pa llogaritur kontribute të tjera ndihmëse, si lënien të lirë të stadiumit falas. Flasim gjithnjë në kërkim të zbatimit të ligjit aktual të financimit të klubeve dhe funksionimit të sh.a-ve, për të zbatuar dhe për të qenë koherentë me ligjin.

Nuk e di sesi i ka bërë llogaritë presidenti, por unë mund të them, në bazë të dokumentacionit, se kontributi nga ana e bashkisë gjatë sezonit të kaluar ka qenë 100%. Vetëm në këtë sezon kemi shpenzuar më shumë se 500 mijë euro. Këtu nuk po llogaritim të tjera kontribute, si lëshimi i stadiumit falas, mirëmbajtje, rikonstruksioni, që është mbuluar drejtpërsëdrejti nga investimet tona si bashki, të cilat arrijnë në shumë rreth 200 milionë lekë për stadiumin. Kemi shpenzuar më shumë se 500 milionë lekë për ekipin, pa llogaritur edhe disa premio të përfituara nga disa kompani apo donatorë, që kanë financuar për ta mbështetur ekipin.

Kontratat, pa firmën e bashkisë – “Pastaj, kontratat gjithnjë janë bërë pa marrëveshjen tonë, ku ne nuk kemi firmosur asnjë prej tyre. Këto janë rregulla të përcaktuara ligjërisht, se kur mblidhet asambleja, llogaridhënia e financave të përdorura, ku shkojnë paratë e hedhura për klubin, a shkojnë në destinacionin e duhur, a respektohen marrëveshjet? Janë shumë gjëra që unë nuk dua të futem teknikisht. Thjesht, ne kemi kërkuar e vazhdojmë të kërkojmë zbatimin e ligjit dhe detyrimeve që kemi në këtë Shoqëri Aksionere”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit