Nadal e Kvitova në raundin e katërt, Murray drejt operacionit pas eliminimit

18 Janar 2019
11:40
Telesport
back button

Pas Roger Federer edhe Rafael Nadal ka avancuar në raundin e katërt të grand slam të Australian Open. Tenisti spanjoll fitoi sot paradite 3-0 (6-1, 6-2, 6-4) ndaj australianit Alex De Minaur, ndeshje që ishte një formalitet për numrin 2 në botë. Nadal e dominoi lojën në të trija setet, duke avancuar për më tej dhe po projektohet një përballje e madhe mes tij e Federer.

Te femrat, në ndeshjet e ditës së fundit të ditës së pestë të Australian Open, spikat fitorja e tenistes çeke Petra Kvitova, numri 6 në botë, që mundi 2-0 (6-1, 6-4), zviceranen Belinda Bencic. Surpriza e ditës ishte eliminimi i francezes Caroline Garcia, që u mund po 2-0 (6-3, 6-2) nga tenistja amerikane Danielle Collins.

Pas eliminimit që në raundin e parë të grand slam të Australian Open, u përfol se tenisti britanik Andy Murray mund të tërhiqej nga sporti. Tërheqje që vetë ish-numri 1 në botë e pat deklaruar një javë më parë, por duket se Murray ka ndryshuar planet. Të paktën për momentin.

Murray ka deklaruar se mund t’i nënshtrohet një operacioni në kofshë javën e ardhshme, duke u tërhequr nga turneu i Marsejës, që zhvillohet në shkurt. “Më vjen keq që tërhiqem, por më duhet të marr këtë vendim. Aty kam kujtime të shkëlqyera, por jam detyruar të tërhiqem”, tha Murray.

Ky vendim nuk është ende përfundimtar. Murray po mendon që të shtyjë edhe disa muaj karrierën, për t’u tërhequr përfundimisht në grand slam të Wimbledon, turneun e shtëpisë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit