Nagelsmann në Paris për të marrë frenat e PSG, bashkë me të vjen edhe djali i legjendës së futbollit francez

7 Qershor 2023
8:59
Telesport
back button

Aventura e trajnerit Christophe Galtier te skuadra e PSG është në fund. Brenda pak orësh pritet zyrtarizmi i shkarkimit të tij, pas një sezoni me luhatje. Ai nuk arriti të lërë shumë gjurmë, me parizienët që fituan vetëm kampionatin dhe zhgënjyen në Europë.

Vendin e Galtier do ta zërë trajneri Julian Nagelsmann, aktualisht pa skuadër pas shkarkimit pak muaj më parë nga detyra e trajnerit të Bayern Mynih. Sipas “L’Equipe”, trajneri gjerman do të zbarkojë sot në Paris për të takuar drejtuesit e klubit dhe hedhur firmën në kontratë.

Gjatë 24 orëve në vijim pritet të zyrtarizohet detyra e tij e re si trajner i PSG, duke firmosur një kontratë 2-vjeçare, me opsion për një të tretë. Bashkë me të, te skuadra pariziene pritet të mbërrijë këtë javë edhe sulmuesi i ri francez Marcus Thuram, djali i legjendës Lilian Thuram, kampion bote.

Marcus Thuram do të transferohet nga Borussia Monchengladbach, me të cilin ka mbyllur kontratën. Një sulmues që ka luajtur 10 ndeshje edhe me kombëtaren franceze, ndërkohë që këtë sezon realizoi 13 go,a në Bundesliga. Më herët, PSG ka mbyllur marrëveshjet em Milan Skriniar, Manuel Ugarte e Marco Asensio.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit