Nainggolan ëndërron të kthehet në kryeqytet, Interi i thotë “jo” huazimit

2 Qershor 2020
8:51
Alfred Lleshi
back button

Vendimi për t’u rikthyer në Cagliari i la të gjithë të mahnitur, por në atë kohë dukej zgjidhje ideale për arsye personale. Radja Nainggolan mund të befasojë përsëri me një destinacion tjetër, që pa dyshim do t’u pëlqejë ish-fansave të tij.

Sipas asaj që raporton “Il Tempo”, mesfushori belg po bën presion për t’u rikthyer në kryeqytet, me verdhekuqtë e Romës. Dashuria për ato ngjyra nuk ka vdekur kurrë, pavarësisht një ndarjeje që në atë kohë shkaktoi polemika.

Nainggolan asnjëherë nuk e ka fshehur faktin se do të dëshironte ta vishte përsëri atë fanellë, që e mbajti me nder për katër vite e gjysmë në Itali dhe Europë. Massimo Cellino, gjithashtu, tha se ishte i bindur që historia midis “Ninja” dhe Romës mund të përjetojë një kapitull të ri: “Sipas mendimit tim, ai do të kthehet në Romë. Kjo është ëndrra e tij. Ai u mahnit nga qyteti, nga mjedisi verdhekuq. Radja është në gjendje të jap gjithçka për Romën”.

Midis të thënit dhe të bërit, megjithatë, Interi është ende në mes, sepse zotëron kartonin e belgut. Zikaltrit nuk duan ta huazojnë më lojtarin, i cili do të ketë një vlerë prej 19 milionë euro më 30 qershor. Ata duan ta shesin mesfushorin, por kjo shumë duket pak si tepër për një 32-vjeçar. Sidomos në këto kohë, thellësisht të kushtëzuar nga emergjenca ekonomike e shkaktuar nga Covid-19.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit