Napoli furnizon Premier League me qendërmbrojtës, edhe Kim në gjurmët e Koulibaly…

6 Qershor 2023
11:10
Alfred Lleshi
back button

Nga kontaktet e para te një marrëveshje që tani është thuajse e kryer. Aventurës së Kim Min-jae te Napoli duket se tashmë i ka ardhur fundi, duke kulmuar me një kampionat të jashtëzakonshëm. Mbrojtësi korean, në fakt është një hap larg kalimit te Manchester United.

“Djajtë e Kuq” janë në kërkim të një qendërmbrojtësi të fortë dhe kanë identifikuar sitë tillë prej disa kohësh ish-lojtarin e Fenerbahce, i freskët nga titulli i mbrojtësit më të mirë në Serie A. Sipas “Il Mattino”, largimi nga kampionët italianë tashmë është projektuar.

Kim iu ka thënë lamtumirë shokëve të tij me rastin e festës së të dielës, përpara se të fluturonte në shtëpi, ku e pret një periudhë e shkurtër shërbimi ushtarak. Më pas do të rikthehet në Europë, por me destinacion Premier League. Manchester United, i cili tashmë ka një marrëveshje me lojtarin, do të paguajë klauzolën prej 60 milionë eurosh, sa parashikon kontrata e tij me Napolin.

Presidenti De Laurentiis do ta investojë një pjesë të shumës për të gjetur një zëvendësues të përshtatshëm. Një “pazar” shumë produktiv me koreanin, pas të ardhurave të një viti më parë nga shitja e Koulibaly te Chelsea.

Ndër emrat në listë janë ato të Giorgio Scalvinit nga Atalanta dhe japonezit Hiroki Ito nga Shtutgarti. Dee Hong, agjent i Kim Min-jae dhe përfaqësues i agjencisë “Orangeball”, në fakt e konfirmoi lamtumirën me një mesazh në LinkedIn:

“Ishte një udhëtim i mrekullueshëm në Itali dhe jam shumë i lumtur që e shoh klientin tim duke e përfunduar sezonin me rezultatet më të mira, me titullin kampion dhe çmimin e mbrojtësit më të mirë në Serie A. Kim Min-jae, guximi dhe pasioni juaj e bënë të mundur. Jam krenar për ju”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit